​Akulli më i vjetër në Arktik thyhet për herë të parë

Për herë të parë, dy herë rresht, këtë verë akulli më i vjetër i pranishëm në veri të Groenlandës është thyer, për shkak të erërave të nxehta dhe temperaturave të larta që kanë përfshirë hemisferën boreale.

Fenomeni i dokumentuar me pamje satelitore ka alarmuar shkencëtarët, të cilët kanë bërë një apel për faunën e zonës dhe më konkretisht për ariun polar.

Siç shpjegon Peter Wadhams, i cili ndodhet në krye të Polar Ocean Physics Group, në Universitetin e Cambridge, “Arinjtë polarë hapin gropa në dëborë dhe në pranverë dalin për të bërë gjueti. Nëse akulli spostohet në det të hapur, mbeten pa një zonë gjuetie. Kështu që arinjtë nuk mund të zhvendosen shumë larg me not. Nëse largësia nga bregu bëhet e vazhdueshme dhe nuk do të ketë më akull mbi det, arinjtë e bardhë do të humbnin habitatin e tyre”.

Më tej shpjegon se, pjesa më e madhe e akullit detar në arktik ishte e qëndrueshme, por tashmë po transformohet vit pas viti. Zona e vetme ku ka mbetur akull i padëmtuar është në veri të Groenlandës, por këtë vit pati shkëputje.

Kjo verë që po lëmë pas, në Euroje ishte e dyta më e nxehtë që nga viti 1910, ose thënë ndryshe qysh kur ekziston një regjistrim sistematik i temperaturave.

Është kjo ajo që raporton agjencia amerikane e meteorologjisë (National Oceanic and Atmospheric Administration, Noaa), sipas të cilës termometri ka shënuar 2.3 centigradë mbi mesataren.