“27 prilli”, Dëshmitari: Hapja e dyerve ishte planifikuar

Plani për hapjen e dyerve të Kuvendit vitin e kaluar më 27 prill, është përgatitur disa ditë më parë. Dëshmitari Nikolla Vojminovski, i cili është dënuar me 13 vite e gjysmë burg për tentim për vrasjen e deputetit Zijadin Sela, sot në gjykatë bërë të ditur se ka qenë i pranishëm në bisedën mes deputetit të akuzuar të VMRO-DPMNE-së, Luben Arnaudov dhe ish-ministrin e Brendshëm, Oliver Andonov. Takimi është mbajtur një ditë para sulmit të përgjakshëm në Parlament.

U takova me Luben Arnaudovin para Kuvendit. Arnaudovi ishte mbështetur në rrethojë. Ishte edhe Oliver Andonov dhe disa persona tjerë. U zhvillua bisedë mes Arnaudovit dhe Andonovit se zgjidhja e vetme e situatës është që të hapen dyert e Kuvendit dhe turma të futet brenda. Gjë që edhe ndodhi, ndërsa presidenti Ivanov të shpallë gjendje lufte dhe se do të arrestohen disa persona“- u shpreh Nikolla Vojminovski, dëshmitar i Prokurorisë.

Por, mbrojtja provoi të diskreditojë këtë prononcim të Vojminovskit për shkak të peshës së veprës penale për të cilën është dënuar. Gjykata bëri të ditur se në këtë proces ka rolin e dëshmitarit, pa marrë parasysh se për çfarë është përgjigjur më parë. Vojminovski, si qytetar, ka qenë i pranishëm në protestat e 27 prillit. Thirrjen për të hyrë në Kuvend, tha se e ka marrë personalisht përmes telefonit nga deputeti i akuzuar i VMRO-DPMNE-së, Luben Arnaudov, me të cilin janë njohur prej më parë.

Ku jeni, çfarë bëni? Hajde hyni – më tha Arnaudovi “- u shpreh Nikolla Vojminovski, dëshmitar i Prokurorisë.

Vojminovski gjatë dëshmimit bëri të ditur se në Kuvend natën e 27 prillit ka pasur edhe pjesëtarë të policisë sekrete, por edhe pjesëtarë të sigurimit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Para Vojminovskit, dëshmoi Llukman Selimi, pjesëtar i Njësisë për intervenim të shpejtë. Godinën e Parlamentit e ka mbrojtur bashkë edhe me 24 kolegë. Në një çast nga turma ka dëgjuar thirrje “Po vijnë maskat! – pas çka kanë filluar të hyjnë persona me maska në kokë.

Njerëzit me maska ishin me tatuazh dhe shumë të fuqishëm. Na bërtitnin, jemi kolegë. Njëri me maskë i bërtiti turmës: ejani me mua, atje janë deputetët. E ngriti maskën që ta shohin se kush është dhe turma u nis pas tij“- pohoi Llukman Selimi, dëshmitar i Prokurorisë.

Për 27 prillin e përgjakshëm janë akuzuar 33 persona. Gjykimi vazhdon të martën e ardhshme.

Bojan Stojanovski