40 milionë persona me diabet pa insulinë deri në vitin 2030?

Përderisa njerëzit në mbarë botën vazhdojnë të shtojnë në peshë, normat e diabetit do të vazhdojnë të rriten dhe stoqet e insulinës do të jenë të ulëta, sipas një studimi të ri.

Deri në vitin 2030, rreth 79 milionë të rritur me diabet të tipit 2 pritet të kenë nevojë për insulinë.

Por, nëse sasia aktuale e ilaçeve mbetet në këtë nivel, 40 milionë njerëz rrezikojnë të lihen pa ilaçe, sipas një raporti në revistën ”The Lancet Diabetes and Endocrinology”.

“Këto vlerësime sugjerojnë se nivelet e tanishme të qasjes ndaj insulinës janë shumë të papërshtatshme për nevojat e synuara, veçanërisht në Afrikë dhe Azi”, tha Sanjay Basu e Universitetit Stanford.

Insulina përdoret për të trajtuar të sëmurët me diabet të tipit 1 dhe disa njerëz me diabet të tipit 2.

“Numri i të rriturve me diabet të tipit 2 duhet të rritet gjatë 12 viteve të ardhshme për shkak të plakjes, urbanizimit dhe ndryshimeve shoqëruese në dietë dhe aktivitet fizik”, tha Basu.

Ndërsa rreth 80 milionë njerëz mund të kenë nevojë për insulinë, vetëm 38 milionë do të kenë qasje në të, bazuar në numrat aktualë. Për më tepër, trajtimi i shtrenjtë është i dominuar nga tre prodhues.