A duhet të ndalohet me ligj burka në Kosovë? Flasin imamë, teologë, sociologë e gazetarë

Me fytyrë krejtësisht të mbuluar dhe veshje që i ngjan kulturës arabe, 10 gra të kthyera nga Siria u dërguan dje para organeve të drejtësisë në Kosovë.
Pamja e këtyre grave riaktualizoi edhe njëherë një çështje shumë të përfolur, mirëpo edhe një temë tabu në Kosovë. A duhet të ndalohet me ligj burka arabe në Kosovë?

Për këtë çështje, lajmi.net ka marrë mendime të njerëzve të profileve të ndryshme, duke filluar nga imamë, teologë, sociologë, gazetarë e publicistë.

Secili vec e vec kanë të ndarë mendimet e tyre lidhur me burkën arabe në Kosovë dhe ndalimin ose jo të bartjes së saj.

Përkrahësit e Burkës Arabe – Njerëzit që praktikojnë islamin

“Kjo çështje duhet të trajtohet fillimisht në bazë të parimeve humaniste”, thotë për lajmi.net teologu Emin Behrami.

Behrami thotë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një grup grash, të cilave u është imponuar kjo jetë.

“Çështja humane duhet të dominojë në këtë rast. Kjo për shkak se kemi të bëjmë me një kategori fëmijësh e grash, të cilët edhe po të kishin qenë të pranishme në ato beteja ajo është çështje imponuar. Pra ana humane duhet të dominojë dhe arsyetimet tjera, politike dhe strategjike nuk vijnë në shprehje”, thotë ai.

Teologu përmend parimet e fesë islame, që sipas tij, të gjithë njerëzit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, ani pse ai në mënyrë indirekte përkrah këtë veshje.

“Në parimet themelore të islamit thuhet se nëse e zënë armikun tënd rob lufte, e ke detyrim me e trajtuar si është më së miri përderisa ia ka ra në dorën tonë. Pra edhe këta kanë ra në dorën tonë, fundja janë të shtetit dhe familjarëve tanë, dhe kjo nuk duhet të trajtohet mbi bazë të politikës së ISIS-it, por në bazë të humanitetit që kanë ardhur në Kosovë”, thotë ai.

I shkurtë por i prerë në mendim, është imami Osman Musliu.

I pyetur nga lajmi.net për mendimin e tij se a duhet ta ndalojë Kosova me ligj burkën arabe, ai thotë se shteti së pari duhet t’i ndalojë disa të këqija tjera.

Musliu përmend shtëpitë publike, vjedhjet e korrupsionin.

“Mendoj që kjo është çështje e parëndësishme në shtetin tonë. Shteti së pari duhet t’i mbyllë shtëpitë publike, të ndalë hajninë dhe korrupsionin e jo të merren me këtë çështje”, thotë imami Osman Musliu.

Burka shkel të drejtat e grave dhe të njeriut – Mendimi i sociologëve

“Ndalimi i burkës me ligj, nënkupton edhe shlirimin e grave nga një ideologji që shkel të drejtat e tyre”, thotë për lajmi.net Sibel Halimi, sociologe.

Ajo vë në pah parimin e shkeljes së të drejtave të njeriut, si parim themelor pse kjo veshje duhet të ndalohet në Kosovë.

Halimi thotë se burka arabe në Kosovë, nënkupton edhe sjelljen e një kulture të huaj në shoqërinë tonë.

“Burka fillimisht shkel të drejtat dhe liritë e grave dhe e shoh prej kësaj perspektive fillimisht. Ndalimi i burkës me ligj, nënkupton edhe shlirimin e grave nga një ideologji e cila i ndan nga të drejtat themelore të tyre. Unë jam kundër burkës në kuptimin ideologjik që është e transformuar dhe nuk lidhet me kulturën tonë”, thotë ajo.

Halimi thotë se është kundër burkave edhe në vendet e tjera, duke nënvizuar se çështja e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të grave veçanërisht është çështje universale.

“Unë jam kundër burkave edhe në vendet tjera, sepse nisem prej prizmit të së drejtave të grave. Prandaj është e rëndësishme që nëse fillon me u përfshi burka në shoqërinë kosovare nënkupton një instalim të ri të vlerave të huaja në Kosovë, shoqërisë sonë, dhe vjen si rezultat i shkeljeve të së drejtave të grave”, thotë ajo.

Burka mesazh i implementimit të sheriatit – Mendimi i publicistëve

“Burka nuk është simbol fetar, por është simbol i islamit politik dhe nuk ka të bëjë me mbulesën fetare”, thotë Valon Syla, publicist e gazetar.

Sipas Sylës, prapa burkës fshihet mesazhi fundamentalist islamik për implementimin e sheriatit.

“Burka nuk është simbol fetar, por është simbol i islamit politik dhe nuk ka të bëjë me mbulesën fetare që e përshkruan libra e shenjtë. Prapa saj fshihet mesazhi fundamentalist islamik për implementim të sheriatit, qoftë edhe me dhunë, qoftë me mjete terroriste dhe shfaqë shkelje të drejtave esenciale të njeriut, këtë rast gruas”, thotë Syla për lajmi.net.

Por a duhet të ndalohet me ligj? Syla thotë se kjo duhet të ndodhë në raste kur praktikuesit e burkas nuk janë të vetëdijshëm, as për fenë e as për të drejtat e tyre.

Sipas tij, shteti duhet të veprojë në këtë mënyrë që të mbrojë të drejtat e tyre.

“Mendoj se në raste kur praktikuesit e burkas nuk janë të vetëdijshëm, as për fenë e tyre, as për të drejtat e tyre… atëherë shteti duhet ta ndalojë me qëllim duke ua mbrojtur të drejtat e tyre nga vetë ata ia shkelin vetës, në emër të një devijimi qoftë fetar, qoftë politik, që kanë ngjyrime anti grua, anti njerzore në esencë e që i kemi parë me ISIS-in dhe me Talibanët që kjo anti njerëzore shfaqet dhunshëm, rrezikshëm me jo respekt ndaj asgjë tjetër deri në terrorizëm total”, shprehet Syla.

Theksojmë, se Burka arabe konsiderohet si një lloj mbulese e cila në librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, nuk konsiderohet obligim.

Ajo përdoret më së shumti në Afganistan, Arabi Saudite, Pakistan dhe në një pjesë të vendeve të tjera arabe.