A mund të ketë përballje Shkëndija – Kukësi?

Kukësi luan në dy javët e ardhshme ndeshjet e turit të tretë të Ligës së Europës përballë Torpedo Kutaisi të Gjeorgjisë, por skuadra verilindore do të mësojë që të hënën se kush është kundërshtari i mundshëm në fazën play-off të turneut falë shortit që do të hidhet në Nion të Zvicrës, shkruan VIP sport.

Me formulën e re, skuadrat që kanë mbërritur në Europa League nga Liga e Kampioneve ndeshen vetëm me ekipe të cilat kanë bërë të njëjtën rrugë duke u eliminuar nga turneu më i rëndësishëm për klube dhe kjo do të thotë se Kukësi mund ta shohë veten përballë Shkëndijës së Tetovës apo në mënyrë të çuditshme edhe Karabakut. UEFA ka shpjeguar deri tani se ndarja në vazo do të bëhet në këtë mënyrë: në vazon e ekipeve kryesore do të vihen 6 çiftet e turit të tretë në Ligën e Kampioneve sa i përket rrugëtimit të kampioneve në këtë turne.

Humbësit do të jenë ata që do të marrin pjesë në play-off të Ligës së Europës. Kjo do të thotë se teorikisht mes rivalëve mund të përfundojë Shkëndija e Tetovës nëse nuk ia del përballë Salcburgut, apo edhe Karabak, nëse eliminohet nga BATE Borisov. Ndërsa në vazon tjetër do të vendosen 10 çiftet e turit të tretë të Ligës së Europës, mes skuadrave që kanë mbërritur në këtë turne nga Liga e Kampioneve.

Sigurisht, fitueset kalojën në play-off për t’u ndeshur me atë që i cakton shorti nga ekipet humbëse të çifteve të vazos së parë. Fillimisht në short do të përcaktohen kundërshtarët për 6 çiftet që bëjnë pjesë në vazon e parë dhe nëse Kukësi është me fat, shorti mund ta lërë mes 4 çifteve që mbesin në vazon e dytë, duke i garantuar përballje më të lehta në letër me këto skuadra dhe mundësi më të mëdha për kalimin në grupet e Ligës së Europës… gjithmonë nëse më parë eliminon Torpedo Kutaisi.