A pati të drejtë Thaçi? Fevziu tregon për prishjen e raporteve Berisha-Rugova

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se Sali Berisha nuk ishte lejuar të hynte pasluftës në Kosovë pasi pengesë ishin bërë Hashim Thaçi dhe Fatos Nano.

Ajo ka mohuar deklaratat e Presidentit aktual se Rugova nuk e kishte lënë Berishën të shkelte në Kosovë.

Këto deklarata të vijnë pas përgjigjes së ashpër të presidentit Thaçi ndaj Sali Berishës, pasi që ky i fundit doli kundër shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi, duke iu kundërpërgjigjur Berishës, tha se “këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”.

Megjithatë, del që Thaçi edhe mund të ketë të drejt në këtë deklaratë, pasi që Sali Berisha ia kishte kthyer shpinën Ibrahim Rugovës qysh në vitin 1996, shkruan lajmi.net.

Për këtë dëshmon edhe gazetari i njohur nga Shqipëria, Blendi Fevziu.

“Shkaku i ftohjes ka qenë një moment tensioni ndërmjet Berishës dhe amerikanëve për shkak të zgjedhjeve të vitit 1996. Në atë moment Berisha filloi ta përkrahte Demaçin të cilin edhe e ftoi në Tiranë. Dhe këtu ndodhen gjëra misterioze, që unë kurrë nuk e kam të shpjeguar, ministri i Jashtëm shqiptar, Tritan Shehu, thërret diplomatët në Tiranë dhe ju thotë që sot e tutje kursi ndryshon dhe ne do t’i japim mbështetje Demaçit, jo më Rugovës”, ka thënë Fevziu në një intervistë të mëhershme.

Sipas tij, takimi i Shehut me diplomatët shqiptarë është takim i dokumentuar dhe ka ndodhur në vitin 1996.

“Dhe këtu fillon ftohja e Rugovës me Berishën. Dhe ju kujtohet më pas Konferenca e Rambujes ku pas kthimit aeroplani i delegacionit të Kosovës ndalon në Tiranë dhe të gjithë zbresin dhe takohen me krerët e shtetit të Shqipërisë, por ishte Rugova ai që nuk doli fare nga aeroplani. Më pas te ai në aeroplan shkoi presidenti Rexhep Mejdani dhe pas një bisedë të gjatë e bindi që të zbriste”, ka thënë Rugova. /Lajmi.net/

Loading...