A po e kër.cënon Bullgaria me veto Maqedoninë e Veriut për përvetësim të heronjve?

Historia është bërë mollë sherri mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ka kërcënuar me veto për futjen e vendit fqinj në BE. Shkak janë bërë disa emra heronjsh që sipas kryeministrit bullgar i ka përvetësuar Maqedonia! Liderët evropianë e mbyllën samitin dy ditor në Bruksel duke miratuar shtyrjen e diskutimeve rreth hapjes së negociatave me Shkupin e Tiranën në muajin tetor.

Ndërsa Maqedonia e Veriut shihej një hap para Shqipërisë liderët evropianë sot janë befasuar nga kryeministri bullgar Borisov, i cili ka kërcënuar Zaevin me veto në Bruksel.

Boyko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë: “Duhet të ndalet retorika anti-bullgare dhe përvetësimi i historisë së Bullgarisë nga maqedonasit. Ata po përvetësojnë heronjtë tanë si Gotse Dellçevi që kanë luftuar për Bullgarinë për vendin e lindjes së tyre dhe këngët tona më të mira janë lidhur me këtë. Deri atëherë kur kjo veprimtari e dëmshme të vijojë, opozita bullgare do të më kërkojë llogari mua për pranim ose jo të një vendimi të pritshëm për negociatat me shtetin fqinj”.

Sinjale pozitive për Shkupin ka dhënë Kancelarja sot në Bruksel që u zotua të bëjë gjithçka që Maqedonisë së Veriut t’i jepet data për fillimin e negociatave me BE-në deri në tetor.

Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë: “Do të bëj gjithçka që mundem që të merret vendimi pozitiv sepse Maqedonia e Veriut bëri punë shembullore me Marrëveshjen e Prespës. Bëhet fjalë për disa javë me vonë. Angazhimi ynë mbetet i njëjtë ndaj unë do të investoj të gjithë forcën time politike për këtë”.