Absurditete shqiptare, firmat e ndërtimit furnizojnë me ushqim kopshtet shqiptare

Abuzimi me cilësinë e ushqimit në dëm të konsumatorëve nga institucione që blejnë produkte për kopshte, çerdhe e spitale ka detyruar Ministrinë e Bujqësisë që të depozitojë kallëzim penal për Bashkinë e Cërrikut.

Në një intervistë për Televizionin Klan, ministri Niko Peleshi thotë se rastet e konstatuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit janë me dhjetëra, duke paralajmëruar të tjera kallëzime për autoritetet që abuzojnë me shëndetin e qytetarëve.

“Tolerancë zero për këdo që e anashkalon, si institucione publike dhe biznese private. Bashkia e Cërrikut, që për shkak të dështimit të kontrollit nga AKU të kontratës së ushqimeve, është kallëzuar penalisht. Do të verifikojmë tashmë në kohë reale. Do të ketë raste të tjera kallëzimesh.”

Kreu i Ministrisë së Bujqësisë thotë se janë analizuar një numër i konsiderueshëm kontratash në këtë fushë dhe kanë rezultuar me shkelje nga më ekstremet. Dyqane që të thjeshta dhe firma ndërtimi janë përzgjedhur në tendera për të bërë furnizimin me ushqime të spitaleve dhe kopshteve.

“Kemi analizuar kontrata, disa dhjetëra prej tyre na ka rezultuar se kanë qenë subjekte jo profesionale në fushën e prodhimit dhe magazinimit të ushqimeve e në mënyrë specifike ato me origjinë shtazore. Kemi raste kur tenderi është fituar për furnizimin me këto produkte nga një firmë ndërtimi, apo kinkaleri. Bëhet fjalë për ushqim, ku çdokush është sensitiv dhe sjell pasoja në shëndet.”

Por cila është arsyeja që fitohen këto kontrata? Operatorët seriozë në treg nuk marrin pjesë në tender për shkak të çmimit të ulët që ofrojnë abuzuesit, të cilët më pas eliminojnë sasinë dhe cilësinë e produktit.

“Çmimi poshtë kostos logjike na çon te dyshimi i arsyeshëm për abuzime e spekulime qoftë për sasi, apo cilësi të ushqimeve që tregtohen. Operatorët seriozë nuk bëjnë dot ato marifete që bëjnë biznese që kanë licenca të çfarëdoshme dhe që nuk ka investime serioze në këtë fushë për të rrezikuar shumë. Ne duam t’i përjashtojmë nga e drejta për të abuzuar me këtë treg.”

Rreziku më i madh te qytetarët që konsumojnë produkte të pacilësishme apo të kontaminuara vjen nga ushqimet me origjinë shtazore. Pasojat më të mëdha këto produkte i lënë në të sëmurët e shtruar në spitale dhe fëmijët./klan