Aktivisti Xhaferi: Nuk mund të ëndërrojmë për Evropë…

Shteti nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për zbatim të ligjeve, rekomandimeve dhe konventave të cilat i ka nënshkruar për mbrojtje të ambientit jetësor. Kur do të fillonin negociatat me Bashkimin Evropian (BE), atëherë kushti do të jetë i qartë se, duhet të realizohen këto punë dhe se duhet të respektohen edhe konventat. Nuk mund të ëndërrojmë për Evropë, kurse të punojmë maqedonisht. Kjo është vërejtje e madhe nga ana e BE-së, tha në intervistë për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, Arianit Xhaferi nga shoqata “Eko Guerilla”, transmeton Portalb.mk.

Duke u përgjigjur në pyetjen se si e vlerëson aktivizmin e organizatave qytetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Xhaferi tha se për momentin nuk ka aq trysni nga të njëjtat ndaj Qeverisë, dhe sipas tij, ndoshta kjo është rezultat i hapjes së pushtetit aktual ndaj tyre për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre, por të njëjtat nuk realizohen.

“Mendoj se momentalisht nuk ka aq trysni ndaj pushtetit për zgjidhje të problemeve me ambientin jetësor, dhe mendoj se ndoshta ky është rezultat i hapjes së pushtetit aktual ndaj organizatave qytetare. Do të thotë, është më e hapur për komunikime të rregullta, për përfshirje të organizatave qytetare në miratim të vendimeve, në përpilim të strategjive, dhe të ngjashme. Sërish, mendoj se kjo sado që tingëllon mirë dhe demokratike, ndonjëherë është e dëmshme, për shkak se ne vërtetë kemi mundësi dhe të drejtë të tregojmë atë çfarë mendojmë, por çfarë ndodh më tutje, ajo është çështja ma e madhe. Jo gjithmonë propozimet tona, sugjerimet dhe idetë janë të pranueshme dhe plotësohen në çfarëdo mënyre. Do të thotë, kemi hapje për atë që po, mund të thoni çfarë të doni dhe të dëgjojmë nga ju, bravos, ide të shkëlqyera, por çfarë më tej? Kur vjen te realizimi i atyre propozimeve, ideve apo strategjive, këtu kemi problem të madh. Jo vetëm këta propozime apo ide që ne i propozojmë, gjithashtu ne kemi problem me ligjet, të cilat janë ligje shumë të mira për ambient jetësor, por nuk zbatohen siç duhet”, tha Xhaferi.

Arianit Xhaferi ka vlerësuar se në Tetovë edhe pse cilësia e ajrit është përmirësuar pas mbylljes së fabrikës së Jugohrom, që ajri të jetë në cilësinë e dëshiruar, ka edhe shumë punë për të bërë.

“Duhet edhe shumë punë për t’u bërë që të arrijmë te ajri i pastër i dëshirueshëm. Ne mendojmë se ka mundësi, ja gazifikimi do të kontribuojë në një pjesë të madhe, me atë që shumë institucione publike, por edhe amvisëri, varësisht se sa do të zgjat ndërtimi i rrjetit sekondar dhe terciar, kur të kyçen institucionet dhe amvisëritë në atë rrjet për ngrohje, do të ketë emetim më të vogël të grimcave të dëmshme. E dyta, në Tetovë nuk ka transport publik që nga vitit 2013-të, kur kryetarja e Komunës, Teuta Arifi kandidoi në mandatin e parë, premtoi se do të organizojë transport publik efikas dhe të gjelbër, deri më sot ajo nuk është, qytetarët gjithandej duhet të qarkullojnë me veturat e tyre. Gjithashtu edhe pastrimi i rrugëve nga pluhuri. Mund të flasim edhe për kaosin urbanistik, ekspansionin urbanistik, e cila për fat të keq është koncentruar në rajonin qendror të qytetit, kështu që të gjitha këto probleme sjellin deri te ndotja e ajrit, por për të gjitha këto probleme ka zgjidhje, vetëm nëse ka vullnet nga pushteti lokal dhe qendror”, tha Xhaferi.

Në raportin e Komisionit Evropian u notua se shteti shumë pak mjete ndan për ruajtjen e ambientit jetësor. Kjo sipas Arianit Xhaferit vjen pasi që shteti nuk ka kapacitet për realizim të ligjeve, rekomandimeve dhe konventave të nënshkruara.

“Atë çfarë Komisioni Evropian e theksoi në raport është realitet edhe në terren. Administrata, respektivisht shteti, nuk ka kapacitet të mjaftueshme për zbatim të ligjeve, rekomandimeve dhe konventave të cilat i ka nënshkruar. Këtu qartë thuhet se kapacitetet administrative si në nivel lokal edhe në qendror, nuk janë të mjaftueshme dhe janë të dobëta. Në këtë duhet të punohet shumë. Besoj se kur do të hapet Kapitulli, nëse marrim datë, atëherë kushti do të jetë i qyrtë se, duhet të realizohen këto punë, dhe se duhet të respektohen edhe konventat”, tha ndër të tjerash Xhaferi.