Ali Ahmeti per Adem Demaçin:Ky popull ka njerëz të veçantë që asnjëherë nuk i braktis

E nderuara familje Demaçi, i nderuar President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaci, i nderuari President i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, i nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, të nderuar Ministra, deputet, kryetar komunash, qytetarë të të gjitha viseve,

shumë i dashur Shqiptar, e dashur Abetare,

Ky popull ka njerëz të veçantë që asnjëherë nuk i braktis, në asnjë rrethanë, pa asnjë mundësi, edhe kur ata nuk janë më pranë nesh.

I tillë, pa asnjë mëdyshje të vetme, është Adem Demaçi.

Një jetesë si kjo e Bac Ademit që ka ndikuar të tjerët, nuk shuhet asnjëherë, vijon përjetësisht.

Një jetë që u shëndërua në frymëzim për të gjithë ne, një veprimtari që më së miri përfytyron rezistencën kombëtare, një karakter që qëndron si themel i pavarësisë së Kosovës, një kontribut që u bë shëmbëlltyra e përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri.

Qiriri, qiriri miq digjet e shkrihet, për t’i bërë dritë të tjerëve. Jeta e Adem Demaçit i ngjason qiririt që u bë dritë dhe do vazhdon ta ndricon rrugën tonë përpara.

Ky burrë para nesh, Adem Demaçi. I madh. I papërsëritshëm. I paarritshëm. I përhershëm.

Kur shihja rrudhat në fytyrën e Bacës Adem, në secilën prej tyre gjeja kufinjtë e hartës së mundit shekullor të kombit tonë, në secilën rrudhë të tij gjeja përkujtim e ngushëllim për çdo dëshmor e martir, për secilin veprimtar.

Në ato rrudha shihja edhe rrugëtimin e shumë të rinjëve e të rejave që pikënisje kishin vrullin e tij prej veprimtari dhe synim kishin idealin e tij dhe të shokëve të përshkruar në frymën e Lëvizjes.

Bac, dheun e Kosovës tëndë, që e mbaje me aq hije e aq nur mbi shpatullat e tua për dekada të tëra, nga sot do ta kesh mbi gjoksin tënd prej Mic Sokoli.

Ky grusht dhe, dhe Kosove, që do e hedhim sot mbi trupin tënd ka gjetur vendin më meritor mbi gjoksin tënd, aty ku pushon sot zemra yte e cila rrahu pa ndërprerë dhe pa asnjë hile për këtë dhe, për flamur, për Kosovë, për Shqipëri.

Sa hije të ka flamuri Bac, të shkon për shtati e për nami.

Pikërisht në këtë shesh, më 11 mars, ne studentet e vitit 1981 nisëm demonstratat duke brohoritur emrin tënd dhe duke kërkuar lirimin tënd.

Ngushëllime familjes, miqve dhe çdo shqiptari kudo që jeton për këtë vigan.

Lavdi për jetë të jetëve.

Loading...