Amazona po digjet sepse bota ha shumë mish

Ndërsa zjarret në pyllin tropikal të Amazonës mund të shkaktojnë “një krizë ndërkombëtare” e vështirë të thuhet se janë aksidentale.

Pjesa më e madhe e zjarreve janë shkaktuar për të hapur kullota për bagëtitë. Praktika është në rritje dhe e inkurajur nga Jair Bolsonaro, presidenti populist pro biznesit dhe që mbështet tregtinë e mishit

Por ndërkohë që e gjithë kjo është biznes për fermerët e Brazilit, e gjithë bota shikon e tmerruar çfarë po ndodh me pyllin tropikal.

Prandaj për të gjithë ata që ngrejnë pyetjen si mund të ndihmojmë për të shpëtuar “mushkëritë e planetit” përgjigjja është e thjeshtë: Hani më pak mish, shkruan CNN.

Është një ide që Finlanda tashmë e ka bërë publike. Të premten (23 gusht) ministri i Financave, të vendit nordik i bëri thirrje Bashkimit Europian “urgjentisht të shikojë mundësinë e ndalimit të importit të mishit tw viçit nga Brazili për shkak të zjarreve në Amazonë.”

Brazili është eksportuesi më i madh i mishit duke arritur të ketë 20% të eksporteve në të gjithë botën, sipas Departamentit të Agrikulturës në SHBA. Një shifër e cila mund të rritet në vitet në vazhdim.

Vitin e kaluar Brazili eksportoi 1.64 milionë ton mish, vëllimi më i lartë në histori – duke gjeneruar 6 .57 miliardë dollarë të ardhura sipas Shoqatës së eksportuesve të mishit brazilian, e cila ka më shumë se 30 kompani mishi.

Rritja e industrisë së mishit nga Brazili ka ardhur për shkak të kërkesave të mëdha nga Azia – kryesisht Kina dhe Hong Kongu. Vetëm këto dy tregje kanë marrë 44 % e të gjithë eksportit të mishit brazilian për vitin 2018 sipas USDA (Departamentit të Agrikulturës në SHBA)

Një marrëveshje tregtare e arritur në qershor mes vendeve të Amerikës së Jugut dhe Bashkimit Europian mund të hapë edhe më shumë tregje për industrinë e mishit në Brazil.

Duke folur për këtë marrëveshje, kreu i Abiec, Antonio Camardelli tha se ajo mund të ndihmojë Brazilin të fitojë tregje të reja si Indonezia, Tajlanda si dhe të rrisë eksportet me shtetet e BE-së.

Në momentin kur kjo marrëveshje do të firmoset do të heqë një taksë prej 20% në importet e mishit në BE.

Por të premten Irlanda tha se ishte gati të bllokojë marrëveshjen derisa Brazili të ndërmarrë veprime për të parandaluar zjarret në Amazonë.

Kryeministri i Irlandës Leo Varadkar tha se Irlanda do të monitorojë Brazilin për të vendosur më pas nëse do të bllokojë këtë marrëveshje.

Ai shtoi se fermerëve europianë dhe irlandezë nuk duhet tu thotë që të përdorin sa më pak pesticide dhe të respektojnë biodiversitetin kur marrëveshjet tregtare bëhen me shtete të cilat nuk respektojnë mjedisin dhe standardet e prodhimit”

Ndërkohë sot qeveria braziliane pritet të refuzojë ndihmën e ofruar nga vendet e G7-ës për zjarret në pyjet e Amazonës. 7 vendet më të industrializuara të botës propozuan të hënën  (26 gusht) shpërndarjen e 22 milionë dollarë fondeve për të shuar zjarret që deri tani kanë shkrumbuar gati 950 hektarë pyje dhe kanë mobilizuar mbi 40 mijë ushtarë.

Por sekretari i presidentit brazilian, Zhair Bolsonaro, e komentoi vendimin si ndërhyrje në punët e brendshme.