Ambasadorët përveshën mëngët, ndihmojnë në pastrimin e mjedisit

Ambasadorja e SHBA-ve, Mikaela Shfajcer Blum dhe ambasadori i Francës, Kritian Timonier i ndihmuan sot autoriteteve lokale që të pastronin mbeturinat në rrugët e Shkupit. Ambasadori i Francës përcolli porosi se përgjegjësia për ruajtjen e ambientit të pastër është e të gjithë qytetarëve.

Unë jam këtu për një qytet më të pastër, kjo është diçka për të cilën duhet të kujdesen të gjithë qytetarët – deklaroi Kristian Timonier, ambasador i Francës në Shkup.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, tha se një qytet të pastër e meritojnë të gjithë qytetarët dhe shtoi se çdonjëri prej tyre duhet të kujdeset çdo ditë për këtë gjë.

Mesatarisht në Qytetin e Shkupit në vitin 2018 për kokë banori janë prodhuar 408 kilogram mbeturina, që është për 8% më shumë në krahasim me vitin 2017. Duke e pasur parasysh këtë, Qyteti ka marrë masa, janë blerë shumë kontejner me kapacitet më të madh. Së pari duhet të rrisim vetëdijen e qytetarëve dhe të njëjtëve të ju mundësojmë infrastrukturë adekuate – tha Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

I përfshirë në aksionin për një qytet më të pastër ishte edhe zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili porositi kolegët e tij politikanë, se duhet të marrin fshesat e vërteta dhe të përballen me këtë problem real të qytetarëve.

Meqë fshesa hyri në politikën e lartë, dua të përcjell një apel deri tek politikanët se duhet të kapen edhe për këtë fshesë të vërtetë dhe të përballemi me problemet reale të qytetarëve – u shpreh Bujar Osmani, zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Në aksionin e sotëm të organizuar nga Higjiena Komunale dhe Qyteti i Shkupit u përfshinë edhe studentë, nxënës, drejtorë, të punësuar në ndërmarrjet publike, kryetarë komunash, zyrtarë të lartë të qeverisë. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “ Higjiena Komunale” Abusamed Shabani, tha se kjo iniciativë do të vazhdojë edhe më tutje me pastrimin e deponive të egra në të gjithë qytetin e Shkupit.