Analisti serb: Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Negociatat për Kosovën janë duke shkuar vetëm në një drejtim – që Serbia do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si do ta bëjë Serbia këtë, ne nuk e dimë, vendimet merren në rrethin e ngushtë të njerëzve rreth kryetarit Vuçiq, thotë analisti politik i revistës serbe “Vreme” Andrej Ivanji. Ai shton se takimi i Vuçiqit me Putinin në Moskë nuk do të sjellë asgjë të re për këtë çështje.

“Vuçiq me Putinin nuk mund të zgjidhë asgjë sa i përket Kosovës, sepse kjo është duke u zgjidhur në anën tjetër të globit, por problemi është se në mënyrë konstante po na “bombardojnë” me informata të ndryshme mbi zgjidhjen e kësaj çështje…. Madje kemi pasur për fundjavë edhe pritje të fillimit të ndonjë lufte në Kosovë, e cila, siç shihni, nuk ndodhi”, ka thënë Ivanji.

“Përkrahë të gjitha informatave të cilat po plasohen, nuk mund të kuptohet se cila zgjidhje do të ishte e pranueshme për Serbinë, por është e dukshme se gjithçka shkon në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Në pyetje se a i mbron Rusia interesat e Serbisë sa i përket Kosovës, Ivanji thotë se gjëja e vetme që Rusia mund të bëjë është që në Këshillin e Sigurimit  të KB ta pengojë Kosovën të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Nuk  besoj se pala jonë shkon me diçka në Moskë. Çfarë propozimi?… Do të jetë mirë që Vuçiqi të takohet me Putinin, dhe më pas të raportohet për këtë, që të mos flasim për diçka tjetër… Nuk besoj se Rusia në përgjithësi është e interesuar të del me ndonjë propozim për Kosovën”, ka deklaruar Andrej Ivanji për medien serbe N1.