Armatosja e Serbisë nga Rusia shqetëson Kosovën

Kontigjenti i armatimit që Serbia ka pranuar sot nga Rusia, nuk ka mbetur pa u komentuar në Kosovë.

Burim Ramadani, zëvendësministër në detyrë i Mbrojtjes, që njëherësh mban edhe postin e Koordinatorit Nacional për Integrimin dhe Anëtarësimin e Kosovës në NATO, e ka komentuar këtë si kthim të Serbisë në Rusi të Vogël, duke e shprehur si shqetësim për gjithë rajonin

“Serbia u kthye në Rusinë e Vogël dhe kjo është shqetësim për gjithë rajonin. Orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse (edhe pse në këto lëvizje aferat korruptive janë enorme) ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit, ndërsa paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë tutje në një prononcim të tij në profilin social Facebook, se “duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e Vogël”.

“Prezenca dhe zgjerimi i NATO-s me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar paqen dhe sigurinë rajonale. Unë besoj në politikën e zgjerimit të NATO-s, sipas Nenit të 10të të Paktit Veri-Atlantik. Kështu, Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë rajonale”, ka thënë më tej ai.

Nga ana tjetër, ish-ushtaraku Enver Dugolli, aktualisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje ka shtuar pyetjen “Pse po armatoset Serbia?”. Përgjigjen e gjatë e ka dhënë vetë, po në profilin e tij në Facebook. Ka thënë aty se “Serbia po armatoset çdo ditë e më shumë me armë dhe mjete tejet moderne luftarake të cilat herë i merr dhuratë nga Rusia e herë i blenë po ashtu nga Rusia”.

“Madje përkundër kundërshtimeve nga NATO, Serbia nuk po ndalet. Presidenti Vuçiq, deklaroi se këto armë dhe pajisje të rënda (të gjitha sulmuese), po ju dashkan Serbisë që të mbrohet!? Vallë, nga kush qenka i kërcënuar ky shtet? Ajo çka dihet dhe shihet është se Serbia jo vetëm që nuk është e kërcnuar nga askush por është e përkëdhelur. Serbia nuk u dënua për gjithë ato luftëra që zhvilloi në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe së fundmi në Kosovë e cila kishte kryer gjenocid dhe krime makabre, sidomos në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë”, ka shkruar Dugolli.

Sipas tij, armatosja e vazhdueshme e saj ka vetëm një qëllim.

“Rikthimin e territoreve të humbura të cilat edhe sot e kësaj dite i konsideron të sajat duke i vendosur edhe në Kushtetutë, rasti i Kosovës”, ka thënë Dugolli.

Dugolli ka thënë se nuk është e vështirë të kuptohen qëllimet e Serbisë. Është shprehur kritik me atë që po bën Kosova, bashkë me Shqipërinë.

“Por a jemi ne në nivelin e duhur të përgjegjësive? Pa asnjë mëdyshje e them se JO! Në vend që të ndërtojmë politika të mirëfillta të mbrojtjes të integruara me Shqipërinë dhe vendet mike, ne improvizojmë situata triumfaliste duke u vetmjaftu me ato tri ligje të miratuara në parlamentin e Kosovës që i japin kompetenca FSK-së për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Kjo klasë politike e dështuar po harron se nuk janë ligjet dhe improvizimet që mbrojnë vendin nga rreziqet dhe agresioni eventual. Është aftësia dhe përgatitja, armatimi dhe pajisjet ato që garantojnë një gjë të tillë”, ka thënë Dugolli, përcjell Koha.net. “Në këtë drejtim, tani gati po bëhen 1 vit që kur u bë ndryshimi i misionit dhe lëre që nuk ka lëvizje në drejtim të blerjes së armëve dhe pajisjeve të nevojshme për mbrojtje, por ka një vend numërim absurd edhe në funksionalizimin e strukturës së re organizative ushtarake e civile. E gjitha kjo po ndodh sepse nuk ka vullnet për ndërtimin e një ushtrie të mirëfilltë, por ka interesa të ngushta për të rehatuar dhe kontrolluar pozicione të rëndësishme ushtarake e civile në FSK dhe Ministri të Mbrojtjes. Deri sa ne merremi me gjëra kaq banale dhe jo me ato çka presin qytetaret dhe shteti, Serbisë po ja lehtësojmë bukur shumë këtë garë të armatimit për ‘mbrojtje’ siç po e quan Vuçiq”, ka shtuar më pas Dugolli

Sot në mëngjes, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kazermën ushtarake të Nishit “Mija Stanimiroviq”, ka prezantuar 10 automjete të blinduara BRDM 2, të ardhura nga Federata Ruse, dhe tha se këto janë dhurata nga Rusia, për çka ka falënderuar presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nuk kemi plane pushtimi, por vetëm si të mbrojmë në mënyrën më të mirë vendin tonë”, tha Vuçiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Fonet”.

Bashkë me Vuçiqin ishin edhe ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, Shefi i Shtabit të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq, sikurse edhe ambasadori i ri rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, të cilit Vuçiqi i tha: “Falënderojeni presidentin (Vladimir) Putin dhe ministrin (Sergei) Shoigu”.

Ai tha se për këto automjete, Serbia s’ka paguar asnjë dinar dhe se bëhet fjalë për dhuratë, transmeton Koha.net.

“Po vijnë edhe ato për të cilat kemi paguar, katër (helikopterë të mëdhenj) Mi-35 dhe tre (helikopterë) Mi-17, shtatë helikopterë, ndërsa po vijnë edhe dhuratat”, shtoi ai.

“Pritet të vijnë edhe 10 tanke dhe këto kanë ardhur edhe përkundër kundërshtimit të NATO-s”, shtoi ai.

Vuçiqi nuk ka dashur të flasë rreth mënyrës se si kanë arritur automjetet nga Rusia, pasi Rumania dhe Bullgaria, si anëtare të NATO-s, nuk kanë lejuar që ato të transportoheshin përmes territoreve të tyre.

“Nuk do të doja të flisja, duke respektuar një të drejtë publike ndërkombëtare dhe detyrimet kontraktuale me Federatën Ruse, por ia dolëm që t’i sjellim automjetet në territorin e Serbisë”, tha presidenti serb, Vuçiq.

Ambasadori rus në Beograd, Bocan-Harçankeo, tha se Rusia është gjithmonë e gatshme për bashkëpunim ushtarako-teknik me Serbinë.