Avokati i drejtohet dëshmitarit: ‘Nuk ke çare pa u përgjigjur’

Në gjykimin ndaj  inspektores për licencimin e lojërave të fatit, Violeta Januzi, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Selatin Hoxha, inspektor i auditimit në Departamentin e lojërave të fatit pranë Administratës Tatimore të Kosovës.

Ndonëse Hoxha tha se kishte punuar në departament të njëjtë me të akuzuarën, ai për shumicën e pyetjeve deklaroi se nuk ka përgjigje për shkak se sipas tij, ai ka punuar si auditor ndërsa për të akuzuarën Violeta Januzin tha se ajo ka qenë në sektorin e licencimit.

Por përgjigjet e vazhdueshme të dëshmitarit me “Nuk kam përgjigje”, si duket e acaruan mbrojtësin e të akuzuarës, avokatin Ramiz Krasniqi, i cili në një moment reagoi duke iu drejtuar dëshmitarit me fjalët: “Nuk ke çare pa u përgjigjur. S’don me u përgjigj -shkon në burg. Qashtu qysh është kanë në burg shkon prapë”, ishin fjalët me të cilat iu drejtua avokati Ramiz Krasniqi dëshmitarit.

Pas kësaj reagoi edhe anëtarja e trupit gjykues, Nushe Mekaj e cila e këshilloi dëshmitarin për obligimet dhe të drejtat e tija.

Ajo ia rikujtoi dëshmitarit se për ato pyetje për të cilat nuk ka dijeni apo nuk i kujtohet duhet të përgjigjet me “nuk e di, apo nuk më kujtohet”, porse ai duhet të përgjigjet në të gjitha pyetjet që i parashtrohet përpos në ato raste kur më përgjigje do ta inkriminonte vetveten apo ndonjë pjesëtar të familjes.

Dëshmitari Selatin Hoxha gjatë dëshmisë së tij deklaroi se ai nga viti 2015 kishte punuar në Departamentin e lojërave të fatit në sektorin e auditimit, pozitë gjatë të cilës tha se si detyrime dhe përgjegjësi të tij kanë qenë kontrollimi i librave të regjistrimit, listën e deklarimit të tatimeve, pagave, listat e punëtoreve, si dhe të gjitha dokumentacionet që kanë të bëjnë në lidhje me afarizmin financiar me fokusim në librat e regjistrimit, si hyrjet dhe daljet.

Dëshmitarin prokurori i rastit Arian Gashi e pyeti nëse gjatë punës së tij si inspektor i auditimit i kishte rastisur ndonjëherë që të vizitonte lokalin “Xhoiloto”, i cili gjendej në pikën te Shatërvani në Prizren.

Sa i përket kësaj pike, dëshmitari tha se asnjëherë nuk i kishte rastisur që ta vizitonte së bashku me ish-kolegen e tij Violeta Januzin.

“Jo, asnjëherë nuk kam qenë me Violetën në këtë pikë për këtë lokal që po me pyesni. Betohem që në këtë kohë asnjëherë nuk kam qenë në këtë lokal me të”, u përgjigj dëshmitari.

Por pas kësaj përgjigje prokurori i çështjes i tha dëshmitarit se ai posedon një dokument të vitit 2015 në të cilin figuron emri i dëshmitarit, dokument ky i përpiluar me rastin e inspektimit në lokalin afarist “Xhoilloto”.

“Ne si provë materiale e kemi një shënim për aktivitet  të vitit 2015 të subjektit afarist “Xhoilloto”, këtu shënon se keni qenë së bashku në atë lokal, aty shënon vetëm nënshkrimi i Violetës, si është e mundur që këtu figuron edhe emri i juaj edhe i Violetës që keni qenë së bashku atë ditë në atë lokal?”, e pyeti dëshmitarin prokurori.

Në lidhje me këtë dokument në të cilin i figuron emri, dëshmitari tha se arsyeja se pse figuron emri i tij është për shkak se kjo kishte qenë një praktike të cilën e kishin ndjekur kur kishin dalë në inspektim dy inspektorë së bashku dhe se ai ka qenë inspektor për auditim dhe kolegia e tij për licencim por theksoi se ai asnjëherë nuk ka qenë së bashku me të akuzuarën për të inspektuar në atë pikë.

“Edhe atëherë edhe sot po e them se në atë njësi nuk kemi qenë bashkë, ndoshta në Prizren kemi mujt me qenë. Këtë e arsyetoj me faktin se unë kam qenë inspektor për auditim e Violeta për licencim dhe për këtë arsye kanë mbetur emrat e të dyve. Nënshkrimi është i detyruar vetëm nëse kërkohet nga kolegia dhe në këtë rast nuk më është kërkuar nga kolegia dhe për këtë arsye nuk e kam nënshkruar”, u shpreh dëshmitari.

Tutje mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ramiz Krasniqi e pyeti dëshmitarin nëse ka mundësi që procesin e auditimit për pikën “Joy Loto”, ta kishte kryer ndonjë koleg tjetër, për çka dëshmitari tha se nuk ka dijeni.

Pastaj avokati Krasniqi e pyeti dëshmitarin nëse ishte e mundur që të bëhej vazhdimi i lejes së licencimit për ndonjë lokal afarist, pa raport të auditimit. Për këtë dëshmitari tha se pa e pasur raportin e auditimit nuk mund të vazhdohet leja e licencimit.

“Meqë këtu thuhet se është vazhduar licenca a do të thotë se ka qenë komplet lënda, ka qenë edhe raporti i auditimit edhe i licencimit”, e pyeti dëshmitarin avokati.

“Te librat e regjistrimit për auditim po flas i ka pasur “Xhoilloto”, mi ka sjell librat e vulosura dhe të nënshkruara në vitin 2015 kur është bërë vazhdimi i licencës”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari në fund shtoi se ai ka pasur shumë raste të tjera gjatë të cilave kishte dalë në inspektim me të akuzuarën për të cilën tha se me aq sa ka vërejtur gjatë kryerjes së detyrave të saj ajo gjithmonë ka vepruar në bazë të ligjit.

“Sa herë që e kemi parë diçka kemi vepruar në bazë të ligjit, sa herë ka qenë me mua gjithmonë ka vepruar në bazë të ligjit”, tha dëshmitari.

Në seancën fillestare të mbajtur në shkurt të këtij viti Violeta Januzi nuk e kishte pranuar fajësinë.

Zyrtarja Akuzohet për Bastoren në Zonën Historike në Prizren

Januzi po ngarkohet për kohën sa ishte në cilësinë e inspektores së licencimit në Departamentin e lojërave të fatit pranë Administratës Tatimore të Kosovës në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara ka tejkaluar autorizimet e saj dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare më 12 nëntor 2015, në Prishtinë pasi që ka bërë shënimin për aktivitetet për lokalin dhe lokalet tjera të bastrores “Xhoiloto” e cila gjendet në Prizren në rrugën “Vranduk”, ku ka konstatuar se ky subjekt afarist i plotëson kriteret e bastores për t`u licencuar, duke mos shkuar në vendin e ngjarjes, me ç‘ rast edhe i ka dhënë licencën për ushtrimin e veprimtarisë.

Prokuroria pretendon se ushtrimi i këtyre veprimtarive është i ndaluar në qendrën historike në Prizren.

Përveç që ushtrimi i kësaj veprimtarie është i ndaluar, aktakuza thotë se ligji po ashtu e ndalon që bastoret të ushtrojnë veprimtarinë në rrezen prej 500 metrash largësi nga objektet edukativo- arsimore, institucione historike, fetare dhe pronës komunale.

Si rrjedhojë, prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve, Januzi i ka mundësuar bastores “Xhoilloto” që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme.