Avokatja e Assange: Prioritet, shmangia e ekstradimit…

Avokatja e Julian Assange, Jennifer Robinson deklaroi se ai ishte i gatshëm për të bashkëpunuar me autoritetet suedeze, nëse këto të fundit kërkojnë ekstradimin e tij, por prioritet mbetet shmangia e një ekstradimi në SHBA.

“Jemi plotësisht dakord për t’iu përgjigjur marrjes në pyetje nga Suedia në çfarëdo momenti që ato do të na kërkojnë”, deklaroi për Sky News, Jennifer Robinson.

Assange ka pasur probleme ligjore me shtetin suedez, pasi akuzohej për përdhunim dhe ngacmim seksual. Këto akuza ranë për shkak të skadimit të afatit në 2015, dhe më pas Suedia mbylli hetimet në çështjen e dytë në maj të 2017, por me lajmin e arrestimit, avokati i palës akuzuese kërkoi rihapjen e hetimit.

Ish-hakeri i kompjuterave i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe thotë se ky është një skenar i nxitur nga autoritetet amerikane, pas publikimit të dokumenteve sekrete.

Kujtojmë se Assange u arrestua, të enjten e 11 prillit në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku jetonte prej vitit 2012 si azilant politik. 47-vjeçari u bë i njohur pasi publikoi një pafundësi dokumentesh të klasifikuara si sekrete që jepnin hollësi për operacionet ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak. Ai publikoi gjithashtu një video ku shihej një helikopter amerikan në vitin 2007 duke sulmuar në Bagdat dhe duke vrarë 12 persona, përfshi dy anëtarë të agjencisë së lajmeve Reuters./Opinion.al