Barcelona shënon fitore dhe paguan 5 milion euro

Një gol nga Pike në minutën e 36-të dhe një i Alena në të 87-ën i kanë dhënë Barcelona-s një fitore 2-0 ndaj Vilarreal-it në “Camp Nou”. Skuadra e Ernesto Valverde është kthyer te suksesi në La Liga pas një humbje dhe një barazimi të marrë në dy ndeshjet e mëparshme. Këto tri pikë i kanë dhënë mundësinë kampionëve në fuqi të Spanjës të rimarrin përkohësisht kreun e La Liga-s. Ndryshe kjo ka qenë ndeshja numër 50 e mbrojtësit Semedo me Barcelona-n, me këta të fundit që do të duhet të derdhin 5 milionë euro në arkat e Benfica-s. Sipas marrëveshjes së arritur mes dy klubeve, spanjollët do të duhet të paguajnë 5 milionë euro për çdo 50 ndeshje që mbrojtësi portugez do të luajë me katalanasit.