Bekteshi në anën e qytetarëve mbyll minierën Kazandoll

Ministri i Еkonomisë, Kreshnik Bekteshi vendosi të ndërpresë marrëveshjen me kompaninë Sardiç për minierën ‘Kazandoll’ ndërsa informacioni tashmë është dorëzuar në qeveri dhe pritet të miratohet të martën në seancën e radhës të qeverisë, njofton TetovaSot.

Arsyeja kryesore për ndërprerjen e marrëveshjes është reagimi i qytetarëve, si dhe mos përmbushja e detyrimit nga ana e koncesionarit Sardiç, i cili kishte obligim ligjor që për dy vjet të ndërton një objekt për shfrytëzimin e bakrit katodik, me kapacitet për të procesuar së paku 50 për qind të mineraleve të shfrytëzuara.

Vendimi i ministrit Bekteshi për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e koncesionit për shfrytëzimin e bakrit, arit dhe argjendit në minierën Kazandoll, do të shqyrtohet në mbledhjenn e ardhshme të qeverisë të martën. Sipas informatave nga Ministria e Ekonomisë, qëndrimi i Bekteshit është që kur flitet për koncesione, nuk bëhet fjalë për “fat”, por për respektimin e normave dhe dispozitave ligjore pozitive.

Nëse koncesionari nuk respekton dispozitat ligjore ose detyrimet e kontratës së koncesionit ose nuk vepron në përputhje me detyrimet e mbikëqyrjes inspektuese, atëherë Ministria e Ekonomisë ka të drejtë ti paraqesë Qeverisë propozim për ndërprerjen e kontratës së koncesionit, dhe kjo vlen edhe për të gjithë, në të gjithë sektorët ekonomikë, pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë një shtet mund të ndërtojë imazhin e një shteti ku ligjet respektohen. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që ne të tërheqim kompani serioze për të investuar në vend./TetovaSot/