BESA: Kalimi i Likës në Besë mund të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale

Zëvendëskryeministri Hazi Lika, nga radhët e BDI-së, mund të kalojë tek “Lëvizja Besa”. Nga partia e Kasamit pohojnë se janë në komunikim me të, ndërsa një zyrtar i “Besës” i tha TV21 se kalimi i Likës mund të bëhet pas zgjedhjeve presidenciale.

“Kemi komunikim mjaft miqësor me Hazbi Likën. Ende nuk ka diçka konkrete, por shpresojmë që pas zgjedhjeve Presidenciale të përmbyllet edhe kjo çështje. Ju po e shihni edhe vetë se në Lëvizjen Besa ka shumë prurje të reja dhe kalime masive të strukturave të BDI-se te ne. Në frymën e kësaj zhvillohen edhe bisedat me Hazbi Likën dhe përkrahësit e tij”, thonë nga Lëvizja Besa, percjell Fakte.

U përpoqëm disa herë të kontaktojmë me zëvendëskryeministrin Lika për t’i konfirmuar ose hedhur poshtë këto fjalë, por nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve tona. Ndërkaq kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, thotë se nuk është në dijeni për largim të mundshëm të Likës.

“Unë nuk kam asnjë informacion të tillë. Hazbi Lika është anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim”, u shpreh Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Plasaritjet e raporteve të Likës në BDI ka muaj që kanë filluar. U vërejtën nga mos shkuarja e zëvendëskryeministrit Lika në punë, ndërsa kulmuan në fillim të marsit, kur qeveria vendosi që Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën e udhëhiqte Lika, ta transformojë në Ministri për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Lika doli hapur kundër këtij vendimi, madje duke thënë se as nuk e dinte se kur BDI-ja kishte vendosur për shndërrimin e Sekretariatit. Ai pati shtuar se ndonëse kanë kaluar afatet, Marrëveshja e Ohrit ende nuk është zbatuar. E i këtij mendimi është edhe kreu i “Besës” Bilall Kasami, i cili para disa ditësh akuzoi pushtetin se pas mbylljes së kontesteve me Bullgarinë dhe Greqinë, dëshiron ta mbyllë edhe çështjen shqiptare në Maqedoni, duke e mbyllur shpejtë e shpejtë Sekretariatin dhe duke themeluar një Ministri, që sipas Kasamit nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Ohrit./TV21