Brnabiq: Duhet ta dimë a kemi vërtetë mbështetjen e BE-së, vendimi për taksa na kthen në shekullin 19

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre te Bosnje Hercegovinës.
Brnabiq ka thënë se Serbia po merr parasysh të gjitha masat reciproke lidhur me këtë taksë.

“Serbia është duke marrë parasysh të gjitha masat reciproke, sepse ne duam të inkurajojmë bashkëpunim rajonal, ne duam të vazhdojmë dialogun me Prishtinën, për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve”, ka thënë Brnabiq.

Brnabiq ka thënë se kjo normë është për të ardhur keq.
“Është për të ardhur keq. Kur flasim për marrëveshjen e CEFTA-s, ne po flasim për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale dhe akademike dhe rrjedhën e njerëzve, jo vetëm mallrat dhe shërbimet në rajon. Të gjithë me qëllim për të krijuar një hapësirë të përbashkët ekonomike. Vendime të tilla na kthejnë në shekullin 19”, ka shtuar Brnabiq.

Brnabiq tutje ka thënë se duhet të bisedojnë me partnerët ndërkombëtarë, që të dinë se a mund të llogarisin vërtetë në mbështetjen e tyre.

Ajo shtoi se tashmë ka dëgjuar për deklaratat e Përfaqësuesve të Lartë të BE-së dhe se sipas saj këto deklarata thonin se kjo situatë do të zgjidhet.

“Kjo nuk është vetëm mosrespektim i marrëveshjeve ndërkombëtare, në lidhje me tregtinë e lirë, por është një goditje e madhe për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, në standardin e tyre të jetesës. Kjo është normë qesharake dhe unë lutem përsëri që të gjithë partnerët tanë që të reagojnë për tërheqjen e kësaj mase dhe të kthehemi në bisedime”, ka shtuar Brnabiq.

Ndryshe Qeveria e Kosovës ka vendosur dje masën 100% për produktet serbe, masë kjo e cila ditë më parë ishte 10%. Për këtë vendim kanë reaguar edhe ndërkombëtare, ku saktësisht Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka kërkuar që taksa prej 100% të largohet menjëherë.