Çfarë ndodhi në 24 orët e fundit me Hashim Thaçin?

Pa ndonjë takim të rëndësishëm në SHBA, me një disfatë për idenë e ndryshimit të kufijve që e ka shtyrë muajve të fundit, dhe pa informata se çfarë do të ndodhë me ushtrinë e Kosovës, pasi takimin me Sekretarin James Mattis e realizoi Ramush Haradinaj dhe në fund edhe për shkak të protestës së Vetëvendosjes, Hashim Thaçit gjithsesi i është dashur operacioni ujor në Liqenin e Ujmanit. Mos të habitemi, kjo ishte një manovër tipike për përfitime personale. S’kishte asgjë në lidhje me shtetin apo shtrirjen e sovranitetit

“Në Veri do të shkojë kur të jem i disponuar”. Kështu ishte përgjigjur shefi i shtetit të Kosovës Hashim Thaçi, kur ishte pyetur nga gazetarët  për të komentuar vizitën e Aleksandër Vuçiq, në Veri, më saktësisht në Liqenin e Ujmanit, aty ku edhe mbajti konferencën për media duke lënë porosi të qartë se Serbia këtë aset të Kosovës e do për vete. Ato ditë, Thaçi angazhohej fort për këmbim territoresh me Serbinë dhe nuk i kishte bërë fort përshtypje vizita e Aleksandrit. Madje, bashkëvendësve të tij, drenicasve iu kishte reaguar që nuk e lanë të futet në territorin e tyre. Madje në formë qortimi duke dashur të çojë porosi në Bruksel, Thaçi u kishte kërkuar atyre që të tregojmë më shumë kulturë.

“Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit”, kishte shkruar Thaçi.

Por, udhëtimi i kreut të shteti përtej Atlantikut, duket se i ka ndryshuar dramatikisht gjërat. Pozicioni i tij, për ndryshimi kufijsh që e ka përfaqësuar javëve dhe muajve të fundit ka marrë një goditje. Thaçi vetëm një herë e ka përmendur atje korrigjimin e kufirit që në paraqitjet publike në Kosovë dhe Serbi e përfaqësonte në mënyrë kategorike. Gjatë një interviste në Nju Jork, Thaçi tha se amerikanët pranojnë një “korrigjim të lehtë” të kufirit nëse ka marrëveshje me serbët, me kushtin që ajo mos ta cenojë stabilitetin rajonal.

Por, kur u kthye në Prishtinë dhe kur u pyet se çfarë i kishin thënë zyrtarët e amerikanë, Thaçi filloi të numërojë takimet duke përfshirë takimin e shkurtër me Trump (takimin me zonjat e para për fotografi, ku palët mund të flasin rreth 20 -30 sekonda), pastaj atë me Sekretarin Pompeo (i cili nuk u shoqërua me fotografi), Ambasadoren Nikki Haley dhe asistentin e Sekretarit të Shtetit Wess Mitchel, ai në asnjë moment nuk përmendi korrigjimin e kufijve.

Madje e kundërshtoi atë sikur ta kishte kauzë personale.  Kjo sigurisht edhe është disfata që duhet ta ketë torturuar Thaçin gjatë udhëtimit të gjatë nga SHBA’të drejt Europës. Një situatë e pakëndshme për të, sipas të gjitha gjasave do duhej të ketë qenë edhe takimi i Kryeministrit Ramush Haradinaj me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes James Mattis, i cili sipas të gjitha gjasave do të ketë qenë takimi më i vlefshëm që delegacioni i Kosovë që udhëtoi në SHBA pati atje.

Sapo Haradinaj njoftoi për takimin me Mattis ku megjithatë nuk u bë krejtësisht e qartë nëse Washingtoni dha dritën e gjelbër për formimin e ushtrisë, Thaçi doli në konferencë për media dhe bëri një përmbledhje të vizitës së tij në SHBA.

Ai madje foli për krijimin e ushtrisë pa e përmendur fare takimin e Haradinajt me Mattis. Të njëjtën e bëri edhe sot kur shkoi në FSK dhe u foli ushtarëve për liberalizim vizash dhe se si ka pirë kafe në Veri, pa mundur të thotë asgjë për krijimin e ushtrisë. Duhet cekur se para dy javësh kur Haradinaj tregoi se do të procedojë me ligjet, Thaçi fillimisht u deklarua kundër. Por  e korrigjoi menjëherë, gjatë ditës, qëndrimin e tij.

E ajo që do ta ketë munduar më së shumti shefin e shtetit ishte protesta e Vetëvendosjes.

Fillimisht Thaçi paralajmëroi se në kohën kur do të niste protesta do të mbajë fjalim në FSK. Por, më pas u mor vesh që fshehtas e kishte organizuar udhëtimin te Liqeni i Ujmanit, për ta lënë në hije numrin e protestuesve në shesh.

Për këtë organizoi njësitë speciale të cilat u kujdesën për sigurinë e tij ndërkohë që Presidenti tha se kjo ishte në kuadër të vizitave që u bën pjesëve të ndryshme të Kosovës për t‘i parë bukuritë natyrore.

Madje në stilin e Presidentit rus bëri xhiro nëpër ujin e liqenit të Ujmanit, të cilin vetëm para disa ditësh ishte në gjendje të tregtonte. Por, për dallim prej Putin  i cili kontrollon cep më cep territorin e Rusisë së Madhe, Veriu I Kosovës mbetet në gjendje të njëjtë, sapo Thaçi është kthyer në Jug. Jo nën kontroll klasik të shtetit të Kosovës, pavarësisht se kjo pjesë ndodhet brenda kufijve të saj.

Pra, pa ndonjë takim të rëndësishëm në SHBA, me një disfatë për idenë e ndryshimit të kufijve që e ka shtyrë muajve të fundit, dhe pa informata se çfarë do të ndodhë me ushtrinë e Kosovës, pasi takimin me Sekretarin James Mattis e realizoi Ramush Haradinaj dhe në fund edhe për shkak të protestës së Vetëvendosjes, Hashim Thaçit gjithsesi iu desh operacioni ujor në Liqenin e Ujmanit. Mos të habitemi, kjo ishte një manovër tipike për përfitime personale, s’kishte asgjë në lidhje me shtetin apo shtrirjen e sovranitetit