Thursday, August 22, 2019
Aktuale Çfarë po ndodhë me hapjen e pikës kufitare në Bellanoc, mes Kosovës...

Çfarë po ndodhë me hapjen e pikës kufitare në Bellanoc, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Në muajin maj të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme kishte deklaruar për Gazetën Express që hapja e vendkalimit të përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të hapej për qarkullim në muajin gusht.
Punët në këtë vendkalim kufitar janë ndërprerë shumë herë dhe kanë ngecur prej kur është iniciuar ndërtimi i kësaj pike kalimi në vitin 2011. Zyrtarë të MPB së janë shprehur se kontrata për kryerjen e punimeve duhet të përfundoj më 28 gusht. Por të njëjtit nuk kanë dhënë datë të saktë se kur do të hapet për qarkullim vendkalimi kufitar Bellanoc Stançiq që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Në qershor të vitit 2018 zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ai i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ambasadori i BE së në Shkup Samuel Zhbogar vunë gurthemelin e objektit kufitar.

Zyrtarët e dy shteteve siguruan se në janar të vitit 2019 pika kufitare do të hapej por kjo nuk ndodhi. E si duket kjo nuk do të ndodhë as në muajin gusht kur edhe është paraparë që të hapet vendkalimi i përbashkët kufitar mes dy shteteve. Projekti ndërkufitar Maqedoni e Veriut Kosovë realizohet me financimin e Bashkimit Evropian ndërsa është pjesë e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.

Edhe pse muaj më parë Ministria kishte deklaruar se muaji gusht do të jetë muaji kur do të hapet për qarkullim pika kufitare Bellanoc Stançiq, tash kjo Ministri thotë se data do të caktohet posa të përfundojnë punët.