Clinton: Gruaja ime tallej me statujën time, ndërsa unë tani do ta bëj një fotografi që t’ia dërgoj asaj (Foto/Video)

Në zbulimin e pllakës në bulevardin “Bill Clinton”, ish presidenti amerikan ka kujtuar disa momente kur kishte ardhur gruaja e tij në Kosovë sa ishte sekretare e shtetit të Amerikës.

Ai ka thënë se, pasi ajo kishte parë statujën e tij, ishte tallur me presidentin Clinton, duke i thënë se ‘kishte një statujë të madhe”.

“Kur gruaja ime ishte sekretare e shtetit dhe kur erdhi në Kosovë, ajo po tallej me mua sepse unë kisha një statujë kaq të madhe. Unë vijë nga një vend i vogël me një kulturë rurale, ku njerëzit nuk kanë dëshirë të mendojnë se janë të rëndësishëm, dhe nuk duhet të sillen si të rëndësishëm”

“E nëse sillen ashtu atëherë njerëzit tjerë intervenojnë që t’i ulin në tokë. Dhe kur ka ardhur këtu zonja Clinton, ajo bëri një fotografi pranë statujës, dhe po bënte me gisht sikurse kush është ky njeri prapa meje. Dhe, unë do ta përfundoj këtu duke e bërë një fotografi dhe duke ia dërguar asaj”, ka thënë Clinton.

Ndryshe ish presidenti Bill Clinton ka thënë se zbulimi i pllakës është një dhuratë shumë e çmuar për të.