Daçiq: Pacolli me 500 mijë dollarë ka dashur ta blerë pavarësinë e Kosovës nga Kongoja

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, ka deklaruar për gazetën e sotme të Beogradit “Veçernje novosti” se ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Behgjet Pacolli kohë më parë në Kongo kishte dërguar njeriun e vet me 500 mijë dollarë në mënyrë që qeverinë e atjeshme ta bindte për ta njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Gazeta e Beogradit përkujton se Pacolli në fillim të majit kishte paralajmëruar se Kongo do ta njihte së shpejti Kosovën, por se, në Beograd kishte arritur shumë shpejt nota e Ambasadës së Kongos se me të cilën ishte përgënjeshtruar lajmi .

Konfirmimin tjetër se Kongoja nuk do ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, Daçiq gjoja e ka marrë nga presidenti i këtij vendi Feliks Çizekedi me të cilin është takuar.

Sipas fjalëve të Daçiqit, ai gjatë dhjetë ditëve të shkuara kishte vizituar shtatë shtete të Afrikës, ndërsa, ka thënë ai, Kongoja nuk është vendi i vetëm ku Pacolli ka “emisarët” e vet.