David Vila sërisht bashkohet me Andres Iniesta

David Vila nuk ka ndërmend t’i varë “këpucët në gozhdë”. Spanjolli 36-vjeçar është gati për një sfidë te re, pasi mbylli kontratën me Nju Jork Sitin. Ish-sulmuesi i Barcelonës, Atletiko Madridit dhe Valencias, kampion Bote dhe Europe, ka vendosur të ndërrojë kontinent dhe të transferohet në Japoni, te Visel Kobe.

Në karrierë kam marrë gjithmonë vendime të rëndësishme. Ato jashtë fushe janë gjithmonë më të vështira për një sportist, por iu binda trupit tim, personave që më rrethojnë dhe instiktit tim. Më pret një sfidë e re, Azia”, – shkruan Vila në profilin e tij në Tuiter, duke e shoqëruar me një video, që tregon aventurën e tij të re.

Vila ka lënë kampionatin amerikan pas 80 golash në 125 ndeshje. Ai u rikthye për një moment edhe në kombëtaren spanjolle në vitin 2017, pas 3 vjetësh mungesë. Vila bashkohet kështu me Andres Iniestën, me të cilin ka luajtur te Barcelona.