Deda: Rivizatimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte dështim i SHBA-së dhe Evropës

Për deputetin Ilir Deda, rivizatimi i kufijve do të ishte dështim kolosal i angazhimit të SHBA-së dhe Evropës në këto 30 vitet e fundit.

“Copëtimi i Jugosllavisë në vija etnike ishte projekt i Millosheviqit. Dorëzimi para projekteve të tilla në 2018 me largimin e vijave të kuqe për integritetin territorial të Kosovës dhe hapja e rrugës për eksperimente të ndarjes territoriale – apo siç po thonë ‘rivizatim të kufijve’ ndërmjet Kosovës e Serbisë – do të jetë dështim kolosal i angazhimit të ShBA-ve dhe shteteve të Evropës në Ballkan në gati 30 vitet e fundit”, ka thënë Deda.

Sipas tij, opsioni i ndarjes së Kosovës ka qenë në tavolinë edhe me 1992/1993, 2004 dhe 2007.

“Pikërisht amerikanët e kishin refuzuar kategorikisht këtë ‘zgjidhje’”, ka thënë ai.