Dedinec: Për ajër më të pastër në Shkup do të prisni deri në vitin 2025

Përveç masave të cilat duhet të marrin institucionet, edhe qytetarët duhet të kontribuojnë, që ajri sa më pak të jetë i ndotur. Kështu tha për REL Aleksandar Dedinec, shkencëtar në ASHAM për energjetikë dhe mjedis jetësor. Sipas tij sa më shumë duhet të shfrytëzohet transporti publik, të zvogëlojmë temperaturën e ngrohjes në shtëpi, në vend të ngrohemi në 28 gradë, të provojmë diçka me një temperaturë më të vogël.

Ai tha se edhe ndërmarrjet komunale gjatë pastrimit të gjetheve të mos i përdorin makinat që fryjnë, për shkak pluhurit që çojnë në ajër. Megjithatë Dedinec tha se këto janë masa afatshkurtër, dhe se ata duan që problemin ta zgjidhin në mënyrë sistematike dhe të detektohen burimet të cilat më së shumti ndotin.

“Ne duam që problemin ta zgjidhim në mënyrë sistematike, jo vetëm të parandalojmë, por edhe ta zgjidhim këtë problem përgjithmonë. Këto masa afatshkurta janë preventive, ti adaptohemi ndotjes, të mundohemi që ta ulim ndotjen për momentin, por ne duam që t’i gjejmë burimet të cilat kontribuojnë më së shumti për ndotjen e ajrit, dhe ti largojmë burimet të cilat shkaktojnë ndotje, dhe prandaj vizioni ynë është Shkup më i pastër deri në vitin 2025”, tha Aleksandar Dedinec, shkencëtar në ASHAM për energjetikë dhe mjedis jetësor.

Studime bëhen vazhdimisht, por nuk ka efekt në cilësinë e Ajrit. Dedinec tha se tashmë autoritetet janë duke mësuar nga gabimet dhe se qeveria tashmë ka pranuar masat e propozuara nga ana e tyre.

“Është e saktë se bëhen studime, por mendoj se shumë pak i është kushtuar vëmendje çështjes për mjedisin jetësor në të kaluarën, për shkak se, kjo çështje jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë botën gjendet në nivel të lartë, kështu që, mësojmë nga gabimet dhe nuk duhet t’i përsëritim, duhet të veprojmë urgjentisht dhe mendoj se Qeveria është e hapur për bashkëpunim në këtë pjesë.

Një pjesë e masave dhe studimeve që i propozojmë është e pranuar, siç janë subvencione për makina, ndryshim i mënyrës së pagimit të taksave etj. Ka mirëkuptim, ka vullnet, na pret ende punë në këtë sferë dhe sa më shpejtë duhet të zbatohen”, tha Dedinec.

Megjithatë Dedinec insiston në atë se qytetarët më shumë duhet të kontribuojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Ai tha se sipas një studimi të UNDP-së, në bazë të parametrave ekologjike vetëm 1% e qytetarëve zgjedhin teknologjinë e ngrohjes.

Ndryshe ndotje të ajrit thuajse ka në të gjitha qytetet e Maqedonisë, por ndotje enorme ka në Shkup, Tetovë dhe Manastir, qytete këto që janë ndër më të ndoturat në Botë.