Deklarata e Ramush Haradinajt shton shpresat për “Grupin e Kumanovës”

Avokatët e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës të cilët po vuajnë dënimin në burgjet e Maqedonisë së Veriut, në pritje të vendimit të shkallës së dytë, kërkojnë që Kosova të nisë iniciativën për ekstradimin e tyre. Duke komentuar qëndrimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj që të dënuarit të ekstradohen pasi të përfundojë procedura gjyqësore, avokati Naser Raufi tha se shteti i Kosovës nuk duhet të presë edhe shumë për të kërkuar ekstradimin, për shkak se procedura e ankimimit mund të zgjasë me vite. Si zgjidhje, Raufi ofron dy opsione:
Pa marrë parasysh nëse rikthehet lënda, apo shkojmë në seancën ankimore në Gjykatën Supreme, sigurisht intervali kohorë do të jetë mes 4 dhe 6 vite. D.m.th është më praktike që të zgjidhet njëra prej këtyre dy opsioneve, të vazhdoje me gjykim në Republikën e Kosovës për gjysmën e të akuzuarve që janë me nënshtetësi kosovare ose si opsion i dytë që thash, që të mbajnë paraburgimin në Kosovë, me atë që të ketë marrëveshje, sepse e dimë që është rast politik dhe marrëveshja duhet të jetë politike”-tha Naser Raufi, avokat i disa të burgosurve nga rasti i Kumanovës.
Pos ekstradimit, avokatja Artene Iseni kërkon edhe rikualifikimin e veprës penale dhe uljen e dënimeve.
Mbajtja e mëtutjeshme në burgjet e Maqedonisë e djemve nga Kosova nuk përmbush asnjë qëllim që parashohin ligjet e Maqedonisë e para ndëshkimi dhe e dyta resocializimi. Këta djem janë ndëshkuar përtej ligjit dhe sigurisht burgjet e Maqedonisë nuk ofrojnë asgjë për socializmin e tyre, përkundrazi dëmtojnë rëndë shëndetin e tyre. Ekstradimi në Kosovë do të ishte zgjidhja ma e mirë bashkë me rikualifikimin e veprave penale dhe uljen e dënimeve”-theksoi Artene Iseni, avokate e disa të burgosurve nga rasti i Kumanovës.
Vendimin e shkallës së parë mbrojtja e ka ankimuar në Gjykatë të Apelit. Në rast të një vendimi për rigjykim, të njëjtit duhet të lirohen deri në ngritjen e akuzës tjetër, gjë që është thuajse e pamundur të ndodhë. Nëse Apeli vërteton vendimin e shkallës së parë, të dënuarit kanë të drejtë të ankesës në Gjykatën Supreme, procedurë kjo që mund të zgjasë mbi katër vite deri në vendimin final. Për ngjarjet në lagjen e trimave në Kumanovë 37 persona u dënuan me 746 vjet burg.