Delawie: Edhe opozita të përfshihet në dialog

Ambasadori amerikan në Kosovë, nuk ka komentuar shkuarjen e presidentit Hashim Thaçi në Bruksel, dhe kundërshtimet e opozitës. Ai ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që flasin për dialogun Kosovë-Serbi. Ka thënë “hyni në lojë, merrni pjesë në diskutime, përpiquni të kuptoni çka dëshiron Kosova dhe si mund të kontribuoni në atë”.

Delawie, gjithashtu nuk ka dashur të flasë nëse ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës, si zgjidhje përfundimtare e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes të dyja palëve, sërish mund të dalë në tavolinë.

KTV: Partitë opozitare të Kosovës e shohin Thaçin si përgjegjës për keqbërjen gjatë këtyre shtatë viteve të dialogut dhe për këtë shkak nuk duan që ai të jetë kryesuesi i negociatave. A është e mundshme që të mos e kemi presidentin si kryenegociator?

Ambasadori Delawie: Siç e thashë, nuk do të hyj në çështjen “Kush”, por …

KTV: Kush është personi…?

Ambasadori Delawie: Mendoj se Kush apo cilët njerëz është e rëndësishme, por nuk më takon mua ta them. Mendoj se të arrish përparim në botë ndodh kur njerëzit e gjejnë mënyrën për të thënë “Po”. Nuk është vetëm duke thënë “Jo” në mënyrë kreative. Mendoj se njerëzit duhet të hyjnë në lojë, që disi ta kuptojnë çka dëshiron Kosova dhe të marrin pjesë në diskutime, të marrin pjesë në metodën si të arrihet te ky ekip negociator – kushdo qoftë në të dhe kjo duhet të jetë… Kuptojini qëllimet, kuptojeni si do ta përfaqësoni vendin tuaj në këto diskutime dhe Kosova do të jetë në pozicion më të fuqishëm nëse më shumë njerëz luajnë në atë lojë.

KTV: Kohëve të fundit jeni takuar me udhëheqësit e partive opozitare. A iu keni kërkuar që t’i bashkohen ekipit negociator të Kosovës në bisedime me Serbinë?
Ambasadori Delawie:

E kam thënë privatisht pothuajse të njëjtën gjë që po e them publikisht. Nuk po ju them: bashkojuni A-së apo bashkojuni B-së, po them: hyni në lojë, merrni pjesë në diskutime, përpiquni të kuptoni çka dëshiron Kosova dhe si mund të kontribuoni në atë.

KTV: Pra, është më mirë që t’i kemi të gjithë në ekip?

Ambasadori Delawie: Është sigurisht më mirë që të gjithë të jenë në ekip, realisht më shumë njerëz në ekip, më mirë.

KTV: A ka ndonjë afat kohor kur mund të pritet ndonjë lloj i përfundimit të dialogut?
Ambasadori Delawie:Nuk e di a ka afat kohor, por e di se mundësia nuk do të rrijë e hapur përgjithmonë. Në këtë çast ka energji rreth dialogut. Ka energji këtu në Prishtinë, ka energji në Beograd, ka energji në Bruksel, ka energji në Uashington D.C. Pra, mendoj se nëse shohim kah 2019-a, do të ketë zgjedhjet evropiane, askush nuk mund ta parashohë se si do të jetë rezultati i tyre, por e di se tani ka njerëz këtu, njerëz në Bruksel, në Uashington që duan të arrihet një ujdi. Që duan të arrijnë ndonjë lloj marrëveshje dhe që duan që ta vënë anash dhe ta finalizojnë këtë gjurmë të fundit të periudhës së luftërave në Ballkan. Dhe mendoj se është me rëndësi të shfrytëzohet kjo mundësi, kjo frymë për ndryshim kudo.

KTV: A është realiste të pritet që të kemi përfundim deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhsëm, siç po e përmendin disa?

Ambasadori Delawie: Në negociata kurrë nuk mund të thuhet se si do të shkojnë apo sa gjatë do të zgjasin. Jam marrë me to me dekada dhe nganjëherë gjërat ndodhin më shpejt se sa pritet e nganjëherë zgjasin shumë më shumë. Prandaj, të parashihet sa gjatë do të zgjasin është e pamundur në këtë çast, por e di se në fillim të këtij viti, BE-ja ka deklaruar se që Kosova dhe Serbia ta përmbushin dëshirën e tyre për t’iu bashkuar klubit të BE-së, këto vende duhet të vijnë te një lloj marrëveshje. Mendoj se kjo ofron një përparësi të shkëlqyeshme për negociata për Kosovën. Nuk do të marrë ujdi më të mirë se kjo. Nuk do të ketë levë më të madhe negociuese se kjo. Mendoj se është me rëndësi që të gjithë ta shfrytëzojnë këtë.

KTV: Në intervistën e mëparshme me juve kemi diskutuar se ka shumë ide që qarkullojnë se si duhet të duket zgjidhja përfundimtare e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë po thonë se ndoshta ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës sërish mund të dalë sërish në tavolinë. Cili është qëndrimi i SHBA-së për këtë?

Ambasadori Delawie: Në këtë çast nuk do të hyj në atë se çka mund të jenë elemente të ujdisë. Mendoj se kjo nuk do të jetë shumë e dobishme, veçanërisht kur po mundohem t’i nxis njerëzit në Kosovë që disi ta marrin atë përgjegjësi dhe të marrin pjesë në diskutime. Pra, nuk do të them se kush mendoj se duhet të jetë në sallë, nuk do të flas për trajtën e tavolinës, nuk do të flas se cilat do të duhej të jenë elementet e marrëveshjes përfundimtare.

Mund të them, megjithatë, se politikanët e Kosovës, qytetarët e Kosovës janë plotësisht të aftë për t’i marrë vetë këto vendime për pozicionin negociues dhe SHBA-ja do të qëndrojë krah tyre përderisa flasin për këto gjëra. Mbështetje jonë për Kosovën është e qëndrueshme, e pandryshueshme dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe elementet se si do të mund të duket ujdia janë elemente që duhet të diskutohen më mirë nga njerëzit e Kosovës.