Deputeti Ejup Alimi: Spasovski të ketë kujdes me listën e regjimit të Millosheviqit

Shkup, 25 korrik – Seanca parlamentare për pyetje deputetësh nuk ka kaluar pa u përmendur rasti i arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së nga Gjakova, Tomor Morina. Deputeti i BDI-së, njëherësh ish ushtar i UÇK-së në Dukagjin dhe në Maqedoni, Ejup Alimi, ka sulmuar sot ministrin e Policisë, Oliver Spasovski, ndërsa ka dërguar porosi edhe për kryeministrin Zoran Zaev, shkruan gazeta KOHA.
“Kjo Qeveri është zgjedhur nën betimin që të integrojë vendin në strukturat euroatlantike dhe të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtës dhe në bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ne, si vend e kemi njohur Pavarësinë e Kosovës dhe nuk guxon kush nga ky vend që të rikthejë kohën mbrapa, kur me urdhërat e Millosheviqit ishin ndaluar dhe arrestuar njerëz. Tomor Morina ka dhe pasaportë britanike, ai ka udhëtuar Londër-Paris-Bruksel… e vjen e së fundi për të takuar sigurisht miq edhe në Shkup. Në gjithë ato vendet nuk është ndaluar dhe arrestuar! Vallë, nuk funksionon policia dhe shteti në këto vende evropiane dhe tash na ka ngelë neve që të improvizojmë? Vetëm policia jonë qenka funksionale?”, ka thënë Alimi në seancën e Parlamentit, ndërsa i është drejtuar Spasovskit dhe Zaevit.
Ministri i Punëve të Brendshme, ka vijuar më tej deputeti Alimi, nuk guxon dhe nuk e ka të drejtën të procesuojë kërkesat e Serbisë që janë bërë në kohën e Millosheviqit për të arrestuar persona që gjenden në atë listë.
“Ky është turpi që po na ndodhë neve si vend dhe Qeveri. Kryeministër Zaev, merr masa sa nuk është vonë, sepse nëse rikthehemi në atë periudhë, atëherë nuk është mirë as për vendin e as për rajonin. Me këto veprime po na bëni të turpërohemi pse jemi pjesë e këtij Parlamenti, e këtij shteti… për arsye se ne kemi njohur shtetin e Kosovës, ndërsa bëjmë veprime që bien ndesh me fqinjësinë e shëndoshë”, është shprehur Alimi, ndërsa ka provokuar Zaevin dhe Spasovskin, duke i përkujtuar se pikërisht ai është bashkëluftëtar i Dukagjinit nën emblemën e UÇK-së.
“Në atë listë jam edhe unë si ish-pjesëtar i asaj kohe, ndërsa sot jam deputet. Thuaj lirisht Spasovskit le t’më arrestojë!
Vendi dhe qytetarët tanë kanë pritur dhe strehuar në atë periudhë gati se një milion qytetarë të Kosovës dhe ne si vend kemi qenë të rreshtuar me botën demokratike, por veprimet fundit nuk janë të tilla. Në mënyrë urgjente ministri i Punëve të Brendshmë të mos marrë parash listën serbe dhe të mos përsëritet akti i shëmtuar me Tomorin, sepse tashmë jemi rendit me shtetet euroatlantike, të cilat e njohin realitetin e ri në Ballkan dhe Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë deputeti Alimi. (koha.mk)