Dëshmia e Zekirit për 27 prillit: Turmat thirrnin ku është Muki, ku është ai shqiptari…

Dëshmitari i ngjarjeve të 27 prillit, deputeti i LSDM-së Muhamed Zeqiri, rrëfeu për tmerrin gjatë sulmit terrorist ndaj tij dhe kolegëve. Zeqiri e shpjegoi kronologjinë e ngjarjeve gjatë të enjtjes së përgjakshme, që e kishte parë nga galeria sipër sallës së mediave. Zeqiri shpjegoi se për disa çaste, kur kishte parë turmën që ishte në çdo cep të Kuvendit, nuk kishte besuar se do të dalë shëndoshë e gjallë. Frika ishte shtuar edhe më tepër kur Zeqiri kishte parë se në mesin e turmës ka njerëz me armë në bel. E kishte parë të akuzuarin Igo Jug që kishte pistoletë, dhe disa herë i kishte rënë nga dora dhe ishte ulur që ta marrë.

Muhamed Zeqiri, dëshmitar

“Turma ma thërriste emrin. Thonin ku është Muki, ku është ai shqiptari, dhe kërcënoheshin se do të na vrasin të gjithëve. Kjo gjendje ka zgjatur rreth dy orësh. Në kabinën e përkthimit ku isha strehuar unë dhe katër kolege, tashmë kishte filluar të mbarojë oksigjeni dhe e dinim se nuk do të mundeshim të durojmë më tepër. I mendoja fëmijët, familjen që nuk ndaleshin duke më telefonuar.Askujt nuk do ia kisha dëshiruar këtë ndjenjë. Por pas një kohe të shkurtër, dëgjuam tre shok bomba dhe kjo ishte sinjal i mirë se policia tashmë kishte hyrë në Parlament. Tashmë nuk i dëgjonim zërat që i dëgjonim më parë, ishin zëra të njësiteve speciale që na evakuuan në një zyrë ku ishin gjithë deputetët”

Zeqiri tek turma kishte parë një sërë personash me maska që e kishin drejtuar turmën kur të sulmojë e kur të qetësohet, dhe me vete kishin edhe radiolidhje për koordinim. Deputeti i LSDM-së kujtoi edhe momentin kur dy deputetët e VMRO-së, Vllatko Gjorçev dhe Nikolla Todorov kishin ardhur për ti mbrojtur kolegët, por Todorovin e kishin përzënë, ndërsa Gjorçev kishte arritur të barrikadojë disa prej kolegëve të tij nga LSDM në tentativë për t’i mbrojtur. Në një moment, Muhamed Zeqiri tha se deputeti Vllatko Gjorçev gjoja kishte kuptuar disa plane të grupeve shqiptare për të ardhur në Kuvend, për ti mbrojtur deputetët, dhe e kishte lutur atë dhe të tjerët që të thërrasin njerëzit e tyre që të parandalojnë konfrontime të mëtejme.

Dëshmitarë të 27 prillit nesër do të jenë kryeministri Zoran Zaev, deputeti Vesel Memedi, Nikolla Todorov dhe ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Akuza që u rëndon grupit përgjegjës për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend është terrorizëm dhe kërcënim terrorist i rendit kushtetues. Të gjithë të akuzuarit deri tani janë shpehur të pafajshëm. Në mesin e të akuzuarve janë deputetët Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski dhe ish drejtori i byrosë për siguri publike Mitko Çavkov. Por edhe dhjetëra persona të tjerë. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Komentet

komentet