Edhe një gazetare e njohur dëgjohet në bombat për Mijallkovin (FOTO)

Gjyqi për rastin “Tortura” do të vazhdojë më 20 shtator, por opinioni publik nuk do të ketë rastin të dëgjojë bisedat e përgjuara, që në listë janë 35, me kërkesë të prokurores Lile Stefanovska.

Në gjykatë sot u dëgjuan “bombat” si dëshmi të Prokurorisë Speciale, në të cilat u dëgjua zëri i ish-drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, i cili bashkëbiseduesve u shpjegonte se si është arrestuar ish-ministri i brendshëm Lube Boshkovski. Në njërën nga bisedat dëgjohet edhe zëri i gazetares së njohur maqedonase Olivera Trajkovska me biznesmenin Jordan Kamcev, ku fillimisht Trajkovska nuk e miraton arrestimin, por më vonë gjatë bisedës dëgjohet se si thotë se është në rregull., sepse Boshkovski paska kryer vepër penale, informon INA.

Mijallkov dëgjohet se si nga pronari i Kanal5 dhe kryeredaktori i TV Sitel kërkon që lajmi për arrestimin e Boshkovskit të jepet sa më shumë në lajme, ndërsa ata i premtojnë se kjo temë do të jetë aktuale edhe gjatë ditëve të ardhshme.
Mijallkov në bisedën me vëllain e tij Vllatko i thotë këtij të fundit se Lube më së paku do të dënohet me 8 vite burg dhe se natën e parë në Shutkë do të vizitohet nga ndonjë person.

Në një bisedë tjetër mes ish-ministres së brendshme Gordana Jankullovksa dhe ish-zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski dëgjohet se si Jankullovska kërkon që të fshihet një xhirim, ku shefi i Alfave, Ivica Antevski – Puki i fut pistoletën në gojë Boshkovskit. Mbrojtja kërkoi që këto përgjime të dëgjohen me dyer të mbyllura, por këshilli gjyqësor nuk pranoi. Por u vendos që një regjistrim i radhës të dëgjohet me dyer të mbyllura. (INA)

Komentet

komentet