Edhe një sindikatë i bashkohet grevës së nesërme të shërbyesve civilë

Grevës së nesërme njëorëshe të shërbyesve civilë i është bashkëngjitur edhe një sindikatë tjetër.

Sindikata e Pavarur e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë se Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë së Kosovës ( SPPBIDMGJK) përmes një njoftimi për media ka shprehur shqetësimet që ka shkaktuar te sindikalistët Draft Ligji i Pagave.

Kjo sindikatë tutje ka njoftuar se edhe përkundër përpjekjeve dhe presioneve të deritanishme në organeve kompetente që pozita e këtyre punëtorëve të avancohet në draft Ligjin e Pagave, akoma të njëjtit vazhdojnë të mbesin në pozitën me të ulët të paraparë në Shtojcën 1 të këtij Ligji dhe koeficienti i paraparë për pagesën e këtyre punëtorëve është tejet diskriminues karshi detyrave të punës që kanë këta punëtorë.

“Pasi që reagimet paraprake nuk patën ndikim pozitiv në shqyrtimin e kërkesave të Sindikatës së Pylltarisë dhe avancimin e koeficientit të pagesës për këta punëtorë, SPPBIDMGJK merr vendim që t’i bashkëngjitet veprimit sindikal të shërbyesve civil në vend, duke filluar nga nesër (dt. 29.01.2019) do të hyjë në grevën një orëshe prej orës 10.00-11.00 dhe tash e tutje do t’i bashkëngjitet veprimeve sindikale të gjithë shërbyesve civil në vend”, thuhet në kumtesë, përcjell KosovaPress.

Sindikata ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët e saj t’i bashkëngjiten veprimeve sindikale të shërbyesve civil dhe njëherit kërkon nga organet kompetente që çështjet e adresuara të zgjidhen sa më shpejt.