EKSKLUZIVE: Sigurohen votat për ndryshimet kushtetuese

Në kohën kur ndryshimet kushtetuese presin “aminin” e deputetëve, si duket kjo veçmë është punë e kryer. MEDIAL.mk mëson se janë siguruar votat e nevojshme për dy të tretat e shumicës, vendim ky që do të hapte rrugën e vendit për BE dhe NATO.
“Votat janë siguruar, ndërsa votimi mund të kalojë gjatë fillimjavës. Varianti alternativ do të ishte që kjo të realizohet gjatë vikendit”, kanë thënë burimet.
Edhe partnerët e koalicionit qeveritar bërën të ditur se janë më afër marrëveshjes me deputetët opozitar se sa zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe se nuk ka plan B.
Madje, vetë kryeministri Zoran Zaev mbetet optimist se do të sigurohen të paktën dy të tretat e votave të deputetëve.
“Kam shpresa se Kuvendi do të mbledhë forcat, do të inkurajohen deputetët të cilët para së gjithash janë përfaqësues të qytetarëve dhe më pas të partive politike, do të qëndrojnë drejt përpara përgjegjësisë historike, para kësaj mundësie që nuk duhet lëshuar që më në fund të japin dritë jeshile, për vërtetimin e nevojës për ndryshime kushtetuese”, ka thënë Zaev.
Njohësit e çështjeve politike thonë ndërkohë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen sa më parë që të jetë e mundur, pasi çdo variant tjetër i kërkimit të zgjidhjes, qoftë edhe zgjedhjet e parakohshme, “paraqesin rrezik, për shkak të epilogut të paparashikuar që mund të kenë”.
Së fundmi edhe ndërkombëtarë kanë nxitur liderët e Kuvendit të Maqedonisë që t’i tejkalojnë politikat partiake dhe ta shfrytëzojnë mundësinë historike për një të ardhme më të mirë të vendit.
Këto porosi kanë qenë të drejtuara sidomos ndaj VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Hristijan Mickoski si shkaktare të ngërçit politik.
Ndryshe, Maqedonia që sot nis zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në NATO, ku bisedat aderuese do të zhvillohen në dy sesione.