Elton John acaron fansat me këtë veprim

Lajm i keq për fansat e Elton John: Këngëtari ka anuluar koncertin e tij në “Orlando Amway Center”, duke informuar njerëzit të cilët i kishin prenotuar të gjitha vendet e qendrës ku do të zhvillohej koncerti vetëm gjysmë ore përpara nisjes së tij.

Zëdhënësi për shtyp i Elton John, Fran Curtis ka konfirmuar në “USA Today” që koncerti i Orlandos është shtyrë për shkak të një infeksioni në vesh të këngëtarit dhe gjithashtu është anuluar edhe koncerti në “Amalie Arena” të Tampës, në Florida.

Nëpërmjet profilit në Twitter të “Amway Center”, fansave të këngëtarit u është sugjeruar që t’i ruajnë biletat, sepse dy koncertet do shtyhen në dy data që do të caktohen në ditët në vijim. Megjithatë, përpjekja për të qetësuar fansat nuk ka funksionuar dhe protestat janë zgjeruar po në Twitter.

Të gjithë pyesin se pse spektakli është anuluar pikërisht gjysmë ore përpara fillimit; mbi të gjitha, duke konsideruar faktin që shumë njerëz kishin ardhur edhe nga qytete të tjera, duke paguar jo vetëm çmimin e biletës, por edhe udhëtimin nga qytetet ku banojnë dhe hotelet ku do qëndronin pas natës së koncertit.

Në Twitter, fansat i shkruajnë: “I dashur Elton, mënyra se si e anulove spektaklin, është për të ardhur keq”.