Erdoganit i ikën aleati i tij i partisë, Ali Babacan paralajmëron parti të re

Ish-zëvendëskryeministri turk, Ali Babacan, ka thënë të hënën se po jep dorëheqje nga partia AK e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për shkak të “dallimeve të thella” me drejtimin kah po shkon partia dhe tha se Turqia ka nevojë për një vizion të ri.

Babacan, bashkë me ish-presidentin Abdullah Gul, planifikojnë të hapin një parti politike rivale këtë vit, sipas njerëzve të afërt me çështjen, hap që do të mund të ul edhe më tej mbështetjen ndaj Erdoganit pas humbjes së Stambollit në zgjedhjet e muajit të kaluar.

“Sipas kushteve aktuale, Turqia ka nevojë për një vizion krejtësisht të ri për të ardhmen e saj. Ka nevojë për analiza korrekte në çdo fushë, për strategji të reja, plane dhe programe për vendin tonë”, tha Babacan në një deklaratë, raporton Reuters.

“Është bërë e pashmangshme nisja e një përpjekjeje të re për të tashmen dhe të ardhmen e Turqisë. Shumë prej kolegëve të mi dhe unë ndiejmë një përgjegjësi të madhe dhe historike ndaj kësaj përpjekjeje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ka paraqitur dorëheqjen në partinë AK (AKP), transmeton Koha.net.

Babacan ka shërbyer si ministër i Ekonomisë dhe i Punëve të Jashtme në vitet e para të qeverisë së AKP-së para se të bëhej zëvendëskryeministër, rol të cilin e mbajti nga 2009 deri më 2015. Guli ishte president nga 2007 deri më 2014, kur kryeministri i atëhershëm Erdogan kaloi në presidencë.