Filloi takimi i liderëve në Klubin e Deputetëve

Filloi takimi i liderëve në Klubin e Deputetëve
Para pak kohe në Klubin e Deputetëve në Shkup ka filluar takimi i liderëve të partive politike, të cilat kanë më shumë se një deputet në Kuvend, me iniciativë të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Në takim duhet që të tejkalohen dallimet midis partive qeveritare dhe opozitës rreth përgatitjeve të referendumit për Marrëveshjen me Greqinë që duhet të mbahet në vjeshtë, përcjell Medial.mk.

Zaev, siç u citua në njoftimin e djeshëm të Qeverisë, takimin e liderëve e konvokon në një përbërje të tillë (liderët e të gjitha partive parlamentare me më shumë se një deputet) për shkak të momentit politik shumë të rëndësishëm i cili e imponon zgjerimin e kornizës institucionale të takimeve të liderëve.

Në takim merrnin pjesë kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev me Radmilla Shekerinskën, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani nga BDI-ja, Ziadin Sela dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët,  Menduh Thaçi dhe Imer Aliu nga PDSH-ja, Afrim Gashi nga njëri krah dhe Bilal Kasami dhe Fadil Zendeli nga krahu tjetër i Besës, nga VMRO-DPMNE-ja Hristian Mickoski dhe Tanja Karakamisheva, nga OBM-ja Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin, Lupço Dimovski he Vlladinka Aviroviq nga Partia Sociaiste si dhe Tito Petkovski dhe Goran Misovski  nga PRSM-ja.

Kjo është hera e parë që takim i tillë i liderëve të mbahet me këtë përbërje, gjegjësisht të ftohen edhe liderët e partive të cilët kanë më shumë se një deputet në Parlament.