Fillon procesi për reformimin e DSK-së, në sipërfaqe tre modele

Tre modele janë në sipërfaqe për zbatimin e reformave të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, si pjesë e reformave të shërbimeve të sigurisë-zbulimit dhe tentimeve për përfundim të ndikimeve partiake, politike dhe të gjitha të tjerave ndaj punës së këtij sektori.

Këtë e paralajmëruan sot në konferencën për shtyp ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe drejtori i DSK-së, Goran Nikollovski.

Spasovski theksoi se që sot në mbledhje qeveritare do të parashtrojë informatë për reformat e ardhshme, do të formohet grup punues i cili do ta zbatojë tërë procesin e konsultimeve me të gjithë faktorët të cilët janë relevantë në këtë segment. Është paraparë konsultimet të fillojnë nga ky muaj dhe të përfundojnë deri më 15 nëntor.

“Në periudhën në vijim do ta zgjedhim modelin, sipas të cilit do të zhvillohet reforma e DSK-së. Në mbledhje të Qeverisë sot do të parashtroj informatë, me të cilën do t’i arsyetoj shkaqet për një reformë të këtillë. Është paraparë MBP të mbajë disa konsultime dhe debate me faktorë relevantë, pas çka do të zgjidhet modeli më adekuat. Këtë proces do ta udhëheqë grupi punues, i cili do të formohet nga institucionet kompetente shtetërore, por edhe me përfaqësues nga sfera akademike dhe shoqëria qytetare”, theksoi ministri Spasovski sipas të cilit pas përfundimit të konsultimeve, konkluzat do të shoqërohen në Qeveri me plan adekuat të aksionit.

“Qëllimi është të fitojmë shërbim i cili do të bazohet në standarde të larta profesionale, respektim të kodit etik dhe metodave bashkëkohore të punës dhe veprimit, shërbim i cili do të jetë i mbrojtur nga ndikimet negative politike dhe detyrë e vetme e të cilit do të jetë siguria e qytetarëve”, theksoi Spasovksi.