(FOTO) Bekteshi dhe Poçivalshek bashkëpunimin ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë i shkëlqyeshëm

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ishte sot në një vizitë pune në Slloveni, ku u takua me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë Zdravko Poçivalshek.

Maqedonia e Veriut paraqet një partner të rëndësishëm ekonomik për Slloveninë në aspektin e ndërkombëtarizimit të ekonomisë sllovene. Në vitin e kaluar, është shënuar rritje e tregtisë për 11.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, me çrast eksporti në rritje për 20.5% dhe importi për 7.7%.

“Në vitin 2018, tregtia e mallrave ndërmjet vendeve arriti vlerën prej 307 milion euro dhe ne gjithashtu vërejmë një trend të rritjes në sektorin e shërbimeve”, shpjegoi ministri Pocivalshek.

Në këtë takim, ministrat u zotuan të përforcojnë më tej bashkëpunimin ekonomik, ku sipas Bekteshit për Maqedoninë Veriore është veçanërisht e rëndësishme të inkurajohen bashkëpunimet dypalëshe në fushën e inovacionit, shkencës dhe teknologjisë, si dhe pjesëmarrja e përbashkët në projektet multilaterale shkencore teknologjike dhe zhvillimore dhe programet. Të dyja vendet i kushtojnë rëndësi të veçantë pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në projekte të përbashkëta në industri, energji dhe energji të rinovueshme, turizëm etj.

“Politikat aktuale ekonomike dhe marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë të cilat na kanë hapur dyert për NATO-në, duke siguruar stabilitetin dhe sigurinë e shtetit, kanë kontribuar në  rritjen  rekorede të investimeve prej mbi 624.milionë eurosh”, u shpreh Bekteshi.

Sllovenia dhe Maqedonia Veriore janë partnerë të rëndësishëm edhe në fushën e investimeve. Kompanitë me me shumicë kapitali sllovene sigurojnë rreth 2,500 vende pune në Maqedoninë Veriore. Në fund të vitit 2017, investimet sllovene në Maqedoninë Veriore arritën në 357 milionë euro, ndërsa në Slloveni shuma e investimeve nga Maqedonia Veriore arriti në 18 milionë euro që paraqet një rritje prej 144% krahasuar me vitin e kaluar.