“Fruthi”, regjistrohen edhe katër raste të reja

Epidemia e fruthit sa vjen e zgjerohet. Katër raste të reja me fruth janë regjistruar gjatë orëve të natës, dy prej të cilëve janë ndaluar për hospitalizim. Një fëmijë shtatë muajsh nga komuna e Studenicanit i pa vaksinuar dhe një grua e moshës 35 vjeçare mësuese në çerdhen “Veseli Cvetovi” në Kisela Vodë. Për momentin të shtruar në Klinikën Infektive ndodhen 26 pacientë. Ndërsa deri në mesditën e sotme janë vaksinuar gjithsej 4530 persona. Pikat për vaksinim vazhdojnë të jenë të hapura për prindërit, fëmijët e të cilëve ende nuk kanë pranuar këtë vaksinë.

Ndërkohë kutitë e vaksinave me deklarata më afat të skaduar, pritet të asgjësohen ditëve në vazhdim. Makedonija Lek pret nga deponia Drislla t’i caktojë ditën kur do të bëhet procesi i djegies së vaksinave me afat të skaduar. Ky proces do të zgjasë rreth një orë, ndërsa pritet që i njëjti më së voni të kryhet deri të enjten. Ndërkohë “Makedonija Lek”-ut ende nuk i është shqiptuar dënimi për lëshimin teknik me vaksinat kundër fruthit, autoritetet përkatëse thonë se shqiptimi i gjobës do të shkojë deri në fillim të muajit mars, atëherë kur bëhet realizimi vjetor i kompanive. Shuma e dënimit do të bëhet duke përpjesëtuar realizimin vjetor të kompanisë dhe numrin e të punësuarve në të.