Gjendet i vrarë një person në një veturë në Malishevë

Policia e Kosovës ka bërë me dije se sot, në orën 09:30, stacioni policor në Malishevë ka pranuar informacion se në fshatin Lladrovc, në rrugë, gjendet një veturë në të cilën dyshohet se është një person pa shenja jete.

Lirije Podrimaj-Beqiraj, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në stacionin policor të Rajonit të Gjakovës, ka bërë të ditur se Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës S.B . 57 vjeçar kosovar/shqiptar. Nga hetimet fillestare dyshohet për vrasje”, ka thënë Podrimaj-Beqiraj, raporton Koha.net.

Ajo thekson se hetimet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në mënyrë intensive po punojnë në hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.