Gjenerali amerikan në Shkup: Ju presim në NATO, sfidat mbesin para jush

Shteti juaj po ndërton të ardhme të ndritur dhe përparon. NATO-ja ndan përpjekjet e juaja për sundim të së drejtës dhe sigurisë në rajon. NATO-ja ndan përkushtimin tuaj të demokracisë, sundimit të së drejtës, si dhe sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Përkrahja juaj e vazhdueshme është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për mbarë Evropën. Me padurim pres të bëheni anëtarja e 30-të e NATO-s, porositi komandanti i Komandës së forcave amerikane në Evropë dhe Komandës së lartë të NATO-s për Evropë, gjenerali Kurtis Skaparoti, i cili sot qëndron për vizitë në Maqedoni.

Gjenerali Skaparoti së bashku me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë, të kryesuar nga ministrja Radmilla Shekerinska, ndoqi stërvitje demonstruese në kazermën “Ilinden”.

“Përmes partneritetit tuaj shumëvjeçar me NATO-n, vendi juaj tashmë arriti përparim të madh në reformat mbrojtëse dhe interoperativitetin ushtarak me aleatët. Duke e njohur ftesën historike të aleatëve për fillim të negociatave inkuadruese me NATO-n njohim dhe respektojmë se sfidat mbesin para jush, por na pret edhe shumë punë. Në të njëjtën kohë me padurim presim të japim edhe përkrahje praktike tek autoritetet e juaja ushtarake në procesin e inkuadrimit. Jemi të bindur se adresimi i këtyre sfidave dhe inkuadrimi i suksesshëm drejt Aleancës do të kenë dobi të jashtëzakonshme për ju. Vendet të cilat janë përfshirë në Aleancë kanë arritur ta përforcojnë demokracinë e tyre, ta avancojnë sigurinë dhe ta bëjnë jetën e qytetarëve të tyre më të sigurt”, deklaroi Skaparoti.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes Shekerinska tha se vizita tregon se sa ndryshojnë punët në Maqedoni pas 11 korrikut kur e morëm ftesën për në NATO.

“Sot jemi nikoqir i përfaqësuesit të parë ushtarak të NATO-s në Evropë, i cili për herë të parë qëndron në Maqedoni. Kjo dinamikë e përforcuar, e manifeston vendosmërinë e fuqishme që Maqedonia në një proces të shpejtë dhe intensiv të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s”, porositi Shekerinska.

Theksoi se në këtë moment i rëndësishëm është angazhimi këto dy dekada e gjysmë i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO që ta konfirmojmë dhe sigurojmë këtë, ndërsa një nga ato hapa kyç do të jetë referendumi në 30 shtator.

“Në referendum presim qytetarët ta njohin interesin e tyre, interesin e Republikës së Maqedonisë, interesin e shtetit dhe të gjeneratave të ardhshme dhe të votojnë pozitivisht. Zgjedhja është e qartë, e ardhme ose izolim, anëtarësim në NATO dhe BE ose edhe një dekadë e humbur”, deklaroi Shekerinska.

Gjenerali Skaparoti, siç është paralajmëruar, pasdite do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev.

Komentet

komentet