Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar faljen e këtyre krimeve

Me një vendim të vitit 2012, Gjykata Kushtetuese kishte specifikuar se tri vepra penale nuk bën të amnistohen. Ato janë: krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Në këtë mënyrë, Kosova nuk mund të falë asnjë nga këto krime nëse arrin marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

 

Pavarësisht paralajmërimeve se Kosova mund të shpallë amnisti për disa vepra penale të kryera nga policia dhe ushtria serbe, një gjë të tillë, e ndalon Kushtetuta e Republikës në shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan, Kosovën.

Krejt ky kufizim i amnistisë është sqaruar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2012, në kohën kur ishte miratuar Ligji për Amnisti, e ku amnistia kishte hyrë si kategori kushtetuese, shkruan Gazeta Express.

Në aktgjykimin e 31 tetorit të vitit 2012 ishte specifikuar se tri lloje të krimeve nuk mund të administrohen me asnjë ligj, vendim dhe as me marrëveshje ndërkombëtare pasi bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut.

Kështu, sipas Aktgjykimit, nuk mund të amnistohen kryesit e krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

Në anën tjetër, në Presidencën e Republikë së Kosovës, kanë dhënë shenjat e para se disa prej veprave penale dhe krimeve të Serbisë mund të amnistohen.

“Sigurisht që në rast se do të ketë marrëveshje, atëherë ajo marrëveshje do të përmbajë edhe mjaft çështje të tjera, respektivisht protokolle të veçanta. Amnistia dhe pajtimi, mund të jetë një nga këto çështjet e veçanta. Në rast se do të ketë marrëveshje për amnisti ndërmjet dy shteteve, kjo amnisti duhet të jetë e përshkallëzuar, mund të përfshijë vetëm krimet apo veprat penale të caktuara”, thuhet në një përgjigje të Presidencës për KD.

“Kosova respekton në tërësi konventat ndërkombëtare dhe të drejtat ndërkombëtare, amnistia mund të jetë e pranueshme vetëm për një numër të caktuar të veprave penale”, ka thënë zyra e Presidencës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se kushdo që shkel Kushtetutën në dialogun në Bruksel do të shkarkohet.

Serbia ka kryer krime kundër njerëzimit, gjenocid e krime lufte në Kosovë. Ka pasur edhe gjykime ndërkombëtare, një pjesë e të cilave kanë konfirmuar disa prej krimeve që janë kryer në Kosovë kanë lidhje me gjenocid, krim kundër njerëzimit e krime lufte.

Gjatë viteve 1998-99, Serbia ka vrarë afër 15 mijë njerëz dhe ka dëbuar mbi një milion të tjerë nga Kosova. Ka dhunuar më shumë se 30 mijë gra e burra.

Ndërkohë, në Bruksel ka nisur faza finale e dialogut, ku po marrin pjesë Hashim Thaçi e Aleksander Vucic. Të dy kanë paralajmëruar një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy shteteve. Megjithëse, Presidenti i Serbisë vazhdon të ketë pretendime ndaj Republikës së Kosovës sidomos në aspektin territorial.

Loading...