Gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve shtyhet për shtator, mungoi prokurori

Gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Toka” ka dështuar për të tretën herë me radhë.

Shkak për dështimin e seancës të kësaj të hëne është bërë mungesa e prokurorit të rastit, Abdurrahim Islami.

Përveç prokurorit kanë munguar edhe dy nga të akuzuarit, Ilaz Syla dhe Mustafë Haliti, raporton Koha Ditore.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka thënë para të pranishmëve se prokurori e ka lajmëruar paraprakisht për mungesën. Krejt kjo, me arsyetimin se është i caktuar në një seancë tjetër në Mitrovicë dhe se “nëse atje do të kryhej me kohë, do të mund të merrte pjesë edhe në seancën në Prishtinë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Kalludra ka thënë se për të akuzuarin Ilaz Syla do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, pasi sipas tij, nuk e ka arsyetuar mungesën në seancën e së hënës.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 3 shtator 2018, duke filluar nga ora 13:00.