Greqi, shtyhet për nesër ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës

Kuvendi i Greqisë ka anuluar votimin e Marrëveshjes së Prespës për nesër në ora 14:30. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit grek, thonë se ky vendim është marrë për shkak të numrit të madh të deputetëve që kërkojnë të marrin fjalën para zhvillimit të këtij votimi. Të shumta ishin edhe sot përplasjet “Për” dhe “Kundër” mes Qeverisë së kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe opozitës së kryesuar nga Kyriakos Micotakis.

Marrëveshja e Prespës shkel linjën kombëtare. Nuk zgjidh problemet, por krijon shumë më tepër të reja- tha Antonis Samaras, ish kryeministër.

Demokracia e Re nuk do të kërkojë votim të mosbesimit të Qeverisë. Qëndrime të kundërta kanë shprehur edhe eurokomisarët grek, Dimitris Avramopulos dhe Korina Krecu. Avramopulos si komisar i politikës së migrimit të BE vlerëson se Marrëveshja e Prespës nuk është e balancuar edhe është problematike.

Një është përcaktimi gjeografik për të cilën të gjitha Qeveritë pajtohemi dhe tjetër është përcaktimi historik që tentohet të arrihet përmes Marrëveshjes. Kombësi dhe gjuhë  do të thotë ekzistim kombëtar dhe japin mundësi për politika irredentiste nacionaliste- deklaroi Dimitris Avramopulos, Komisar i politikës së migrimeve në BE.

Ndërsa Korina Krecu si eurokomisare për zhvillim rajonal tha se shpreson që Marrëveshja do të implementohet sa më shpejtë.

Marrëveshja e Prespës do të implementohet sa më shpejtë dhe së shpejti do të fillojnë bisedimet mes Shkupit, Athinës dhe Brukselit. KE-ja dhe Parlamenti evropian janë të gatshme që nesër të fillojnë dialogun dhe shpresojmë që kjo të ndodhë- tha  Korina Krecu, eurokomisare për Zhvillim Rajonal.

Nënkryetari i Kuvendit grek nga radhët e opozitares Demokracia e Re, Nikitas Kaklamanis ka kundërshtuar sot qëndrimet e ndërmjetësuesit Nimic.

Mendimi im personal është se besoj se të gjithë kolegët në sallë, edhe ata që do të votojnë “për” dhe ata që do të votojnë “kundër”, vendimi është rezultat i të menduarit të tyre të lirë dhe mbështetje të linjave politike të partive të tyre. Në këtë drejtim, i vlerësoj si të papranueshme deklaratat e djeshme të zotit Nimic- pohoi Nikitas Kaklamanis, Nënkryetar i Kuvendit grek nga radhët e DR.

Megjithatë Demokracia e Re, sot ka marrë porosi edhe nga partia e Kancelares Gjermane Angela Merkel, CDU, që të mbështesë Marrëveshjen. Eurodeputeti Gjerman, Dejvid Mekalister, ka thënë se deputetët në Parlamentin grek “kanë mundësinë historike të votojnë për Marrëveshjen e Prespës e cila jepe mundësi unike për plotësimin e perspektivës euroatlantike të Maqedonisë. Ai shtoi se Evropa do të ketë përfitim nga kjo Marrëveshje. Edhe shumica e ish-funksionarëve grek, si presidentë dhe kryeministra kanë shprehur publikisht qëndrimet  e tyre për Marrëveshjen. Por nga Qeveria e kryeministrit Cipras thotë se kanë siguruar shumicë absolute prej së paku 151 votash.

Mefail Ismaili