Hajde bac, hajde family, komunikimi mes pjestarëve të delegacionit kosovar në prani të Mogherinit

Në prag të takimit me Federica Mogherinin, delegacioni kosovar që udhëtoi në Bruksel të martën realizoi një fotografi me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian.

Para se të zinin vendet për fotografinë e përbashkët, disa nga anëtarët e delegacionit kosovar ngurruan të dilnin në pjesën ku po qëndronte Mogherini. E në këtë situatë filloi një komunikim i pazakontë mes tyre; një komunikim jozyrtar me nofka.

Kryeparlamentari Kadri Veseli e ftonte Behgjet Pacollin që t’i bashkohej atij dhe Mogherinit në podium, teksa i drejtohej atij si “bac”.

“Hajde bac! Hajde bac hajde”, i thoshte Kadri Veseli, ministrit të Jashtëm Behgjet Pacollit në prani të Mogherinit, raporton Insajderi.

Ndërkaq, presidenti Thaçi i drejtohej delegacionit kosovar ku bën pjesë edhe ai vet, si: “Kosovo Family” dhe i ftonte ata për të realizuar një fotografi duke thënë: “Hajde Family”.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ishte fiksuar pas një simboli të flamurit kosovar që e mbante në uniformën e tij. Këtë simbol, ai ia tregoi fillimisht Mogherinit.

“Më lë që ta fokusoj flamurin e Kosovës”, i tha Haradinaj, Mogherinit. Derisa pas realizimit të fotografisë, Haradinaj tha se herën tjetër do ta merrte një flamur të vogël të Kosovës për ta mbajtur në duar.

I gjithë ky bashkëbisedim mes pjesëtarëve të delegacionit kosovar dhe Federica Mogherinit është inçizuar nga kamera e Zërit të Amerikës, pak para se të fillonte takimi mes dy palëve. /Insajderi.com