Haremi në kohën e Perandorisë Osmane

Haremi perandorak i epokës osmane, ishte koleksioni i grave, shërbëtorëve, dhe konkubinave të sulltanit, të cilët ndonjëherë numëroheshin në qindra. Disa prej tyre ishin aty sa për dekor, disa përdoreshin për prodhimin e trashëgimtarëve, ndërsa të tjerat patën pushtet dhe ndikim të madh.

Termi “harem”, të sjell në mendje imazhin e një dhome të mbushur me gra të bukura, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të kënaqte seksualisht padronin. Ky imazh mund të jetë frymëzuar nga haremet e shekullit XVI-XVII të Perandorisë Osmane. Megjithatë, haremi ishte më shumë sesa thjesht një lodër seksuale për sulltanin.

Haremi i sulltanit osman ekzistoi midis viteve 1299-1920. Gratë në harem luajtën një rol shumë më të madh se sa thjesht argëtimi i sulltanit. Disa prej tyre patën ndikim në qeverisjen e Perandorisë së fuqishme Osmane. Një periudhë e njohur si “Mbretërimi i Grave” ose Kadinlar Sultanatipa, i dha haremit të grave një rol të rëndësishëm brenda qeverisë, duke bërë që ato të fitonin më shumë pushtet se kurrë më parë.

Haremi ishte simboli i fundit i fuqisë dhe pasurisë së sulltanit. Pronësia e tij ndaj grave dhe eunukëve, kryesisht si skllevër, tregonte pasurinë dhe fuqinë e tij. Institucioni i haremit u fut në shoqërinë turke me adoptimin e fesë islame, nën ndikimin e kalifatit arab, të cilin osmanët synonin ta imitonin.

Shumica e burrave dhe grave brenda haremit, u blenë si skllevër për të siguruar bindjen e tyre, megjithatë disa mbetën të lirë. Gratë kryesore, veçanërisht ato të martuara, për të çimentuar aleancat personale dhe dinastike, ishin gra të lira. Skllevërit, apo edhe burrat dhe gratë e lirë u arsimuan brenda haremit.