Hetimet ndaj presidentit, Raufi: Do të përfundojnë me aktakuzë

Eksperti i procedurës Penale Naser Raufi është i sigurtë se parahetimet në prokurorinë e përgjithshme publike ndaj presidentit të shtetit Gjorge Ivanov do të përfundojnë me kallzim penal.

Këtë e bazon në faktin se presidenti vetë është deklaruar se refuzon t’i dekretojë ligjet e caktuara që janë miratuar nga kuvendi, gjë që sipas tij përbën deliktin.

Ai do t’i kishte shpëtuar kallzimit penal po të mos ishte deklaruar vetë se refuzon t’i dekretojë ligjet duke shfrytëzuar zbraztirën lidhur me mosprecizimin e intervalit kohorë për t’i dekretuar ligjet, por deklarimi i tij sipas Raufit bie ndesh me përcaktimin ligjorë se pas leximit të tretë presidenti është i obliguar t’i dekretojë ligjet.

“Unë jam më se i sigurtë se nga ana e Prokurorisë Publike do të ketë aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasiqë kryetari i Republikës është i obliguar është i detyruar t’i nënshkruaj ligjet kur u votua ligji për gjuhët. Së dyti në kushtetutë është edhe fjala është i detyruar. Por ka këtu një zbraztirë me korrnizën kohore, nuk ka se në cilin interval kohorë duhet ta nënshkruajë. Por në këtë rast konkret vetë kryetari është prononcuar se refuzon ta nënshkruajë ligjin që do të thotë se nuk ka pengesë për prokurorinë publike që të nritë aktakuzë kundër kryetarit të shtetit. Po të mos kishte deklaruar kryetari që nuk do ta nënshkruajë atëherë me të vërrtetë nuk ka interval kohor me të cilin është i obliguar që ta nënshkruajë. Por pasi që ky konstaton se nuk e nënshkruan d.m.th që delikti konkretisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare është i kryer dhe nuk ka asnjë pengesë që të ketë aktakuzë nga ana e Prokurorisë Publike dhe aktakuzë do të ketë jam më se i sigurtë’ – thotë për MTV2, Naser Raufi, ekspert i procedurës penale.

Ndërkaq Prokuroria e Përgjithshme Publike ka nisur procedurë parahetimore ndaj Presidentit Ivanov, për dy kallëzime penale të ngritura nga persona anonim, e që kanë të bëjnë me mos dekretimin e Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjen e Prespës.