Hoxha pranoi teorinë e Darvinit, BIK e sus*pendoi nga puna!

Hoxha nga Peja Drilon Gashi i cili u sus*pendua nga Bashkësia Islame e Kosovës javën e kaluar ka thënë se e ka pranuar teorinë e evolucionit për shkak se të “gjithë dijetarët dhe shkencëtarët e kanë faktuar këtë teori”.

Në emisionin Pressing të T7 imami Gashi ka deklaruar se libri i shenjtë i myslimanëve Kurani nuk e kundërshton shkencën.

“Për teorinë e evolucionit unë nuk kam deklaruar diçka ma shumë se çfarë thotë shkenca moderne. Të gjitha qarqet e kësaj lëmie të gjithë dijetarët e pranojnë evolucionin si teori e faktuar. Si për shembull toka e ka formën sferike nëse dikush thotë të kundërtën atëherë…”, ka thënë Gashi.

Ai ka folur edhe për vërejtjet që i ka marrë nga Enes Goga kreu i Bashkësisë Islame në Pejë në muajt e parë prej që ishte punësuar si imam në xhaminë e fshatit Vitomericë në Pejë.

“Nuk kish gjë më të vështirë që me prit çdo ditë mos po largohesh prej punës. Kreu i BIK në Pejë Enes Goga më ka shkruar disa herë brenda dy muajve disa vërejtje me shkrim dhe kur të shkojnë këto vërejtje atje në Prishtinë e bëjnë të veten” ka thënë Gashi.

“Prej emërimit tim në atë xhami unë jam shikuar me busull. Unë besoj që ka shumë gabime të tjera që bëhen prej hoxhallarëve të tjerë plot hoxhallarë tjerë kanë bërë gabime trashanike” ka thënë ai.