I akuzuari për vrasje: Më vjen keq për rastin, e kam kryer pa dashje

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës u mbajt shqyrtimi fillestar kundër të akuzuarit Esat Bajrami.

I pandehuri Esat Bajrami po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për veprën penale të vrasjes dhe veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

I pandehuri deklaroi në Gjykatë se i vjen keq për rastin, të cilin, sipas tij, e ka kryer pa dashje.

“Mua më vjen keq për rastin, por e kam kryer pa dashje”, tha ai.

Gjyqtari Nikollë Komani prapë e pyeti të pandehurin se a e pranon fajësinë për veprën për të cilën akuzohet nga Prokuroria.

“Unë veprën e vrasjes nuk e pranoj, por veprën për armëmbajtje pa leje e pranoj”, tha Esat Bajrami.

Sipas aktakuzës, më 1 nëntor të vitit të kaluar, në qebaptoren “Toni-burger” në Gjakovë, Esat Bajrami me dashje ka privuar nga jeta Arlind Hanën, 30 vjeç.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshjeje që kishte i ndjeri me të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Pasi që i pandehuri kishte mbetur vetëm me të ndjerin, kishte nxjerrë revolen e tipit “CZ” dhe kishte qëlluar tre herë tani të ndjerin, të cilit i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse,  thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes të paraparë me nenin 178 të KPRK-së.

Po ashtu, i njëjti dyshohet nga Prokuroria për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që më parë e kishte siguruar dhe pa autorizim ka poseduar armën.

KALLXO.com kishte raportuar për rastin e vrasjes në Gjakovë.

Prokuroria Tregon Motivet e Vrasjes së Djeshme në Gjakovë

Kallxo.com

 

Loading...